Ministri izraelit të burgosurit të Hamasit: Dua të të vras, dua të të ekzekutoj

Bota

Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, ka kërcënuar me vdekje Hassan Salameh, një terrorist i Hamasit i dënuar për organizimin e sulmeve vetëvrasëse me bomba në autobusët e linjës 18 në Jerusalem në vitin 1996. Në një video të publikuar të dielën mbrëma, Ben-Gvir, i cili tha se pamjet ishin regjistruar gjatë një vizite […]

Madhësia e shkronjave

Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, ka kërcënuar me vdekje Hassan Salameh, një terrorist i Hamasit i dënuar për organizimin e sulmeve vetëvrasëse me bomba në autobusët e linjës 18 në Jerusalem në vitin 1996.

Në një video të publikuar të dielën mbrëma, Ben-Gvir, i cili tha se pamjet ishin regjistruar gjatë një vizite në burg rreth dy javë më parë, i drejtohet Salamehut duke i thënë: “Dua të të vras. Dua të të dënoj me vdekje”.

Salameh, i cili po vuan disa dënime të përjetshme për organizimin e tre sulmeve në vitin 1996, u arrestua po atë vit dhe u shpall fajtor për sulmet që morën dhjetëra jetë.

Dy sulmet ndaj autobusëve të linjës 18, më 25 shkurt dhe 3 mars 1996, vranë 45 persona. Një sulm i tretë, në kryqëzimin e Ashkelonit më 25 shkurt, vrau edhe ushtaren e IDF-së, Hofit Aish. Salameh u dënua me 46 burgime të përjetshme të njëpasnjëshme, si dhe 30 vite shtesë burgim.

Gjatë vizitës në burg, Ben-Gvir i tha Salamehut se do të shkonte në ferr pas vdekjes, duke shtuar: “Por këtu, unë jam përgjegjës për ferrin.”

“Ti vrave 48 njerëz – fëmijë, gra, burra dhe ushtarë”, tha ministri, duke shtuar se i konsideronte ata “si fëmijët e mi”, transmeton Telegrafi.

Ben-Gvir tha gjithashtu se, kur ishte fëmijë, protestonte që persona si Salamehu duhej të trajtoheshin më ashpër dhe se tani po “mbyllte rrethin”.

Ministri, nën autoritetin e të cilit ndodhet Shërbimi i Burgjeve të Izraelit, ka ndjekur një politikë të ashpërsimit të kushteve për të burgosurit e sigurisë. Pas sulmeve të 7 tetorit 2023, të burgosurve të sigurisë u është ndaluar blerja e ushqimeve në kantinat e burgjeve apo përgatitja e tyre vetë.

Në shtator 2025, Gjykata e Lartë e Izraelit vendosi se shërbimi i burgjeve nuk po garantonte ushqim në nivelin e kërkuar nga ligji dhe urdhëroi marrjen e masave për të siguruar përmbushjen e kushteve bazë.

Shërbimi i Burgjeve tha se të gjithë të burgosurit marrin ushqim në përputhje me ligjin dhe vendimet gjyqësore dhe se funksionon nën udhëzime detyruese dhe mbikëqyrjen e autoriteteve përkatëse.

Në mars 2026, Knesseti miratoi me 62 vota pro dhe 48 kundër një ligj që parashikon dënimin me vdekje për terroristët. Ligji lejon dënimin kapital për persona të caktuar të dënuar për vrasje të qëllimshme në sulme terroriste, ndërsa në gjykatat civile parashikon mundësinë e dënimit me vdekje ose burgim të përjetshëm.

Megjithatë, ligji nuk mund të zbatohet në mënyrë retroaktive dhe për këtë arsye nuk mund të përdoret ndaj Salamehut për veprat e kryera në vitin 1996. Izraeli nuk ka kryer një ekzekutim që nga varja e kriminelit nazist Adolf Eichmann në vitin 1962.

Ben-Gvir tha se, nëse do të mbante postin e ministrit të Mbrojtjes, do të punonte që terroristë të dënuar për vrasje të mund të përballeshin me dënimin me vdekje, ndërsa përsëriti edhe mbështetjen e tij për një politikë të emigrimit nga Gaza dhe Bregu Perëndimor.

Hamas reagoi duke deklaruar se kërcënimet e ministrit nuk do t’i frikësonin të burgosurit palestinezë dhe akuzoi Ben-Gvirin për kryerjen e “krimeve të mëtejshme” ndaj tyre.

Ben-Gvir iu përgjigj duke thënë se reagimi i Hamasit tregonte, sipas tij, se politika e tij po jepte rezultat. Ai premtoi se do të vazhdonte me masat për ashpërsimin e trajtimit të të burgosurve të sigurisë dhe zbatimin e ligjit për dënimin me vdekje.

Ndërkohë, Shoqata Waed për të Burgosurit dhe të Liruarit, me bazë në Gaza, e dënoi kërcënimin e drejtpërdrejtë ndaj Salamehut si një nivel të paprecedent armiqësie ndaj të burgosurve. Autoritetet amerikane e kanë klasifikuar Waed si entitet terrorist të përcaktuar posaçërisht që nga janari 2026, duke e akuzuar për lidhje me krahun ushtarak të Hamasit dhe mbështetje materiale ndaj organizatës.

Sipas Waed, incidenti nuk ishte thjesht një deklaratë për media, por pasqyronte mënyrën se si ministri përgjegjës për sistemin e burgjeve e sheh trajtimin e të burgosurve. /Telegrafi/