Fermerja që telefonoi policinë zbuloi komplotin pranë bazës ajrore britanike

Bota

Një fermere britanike që telefonoi numrin e emergjencës 999 pasi pa automjete dhe persona të maskuar pranë bazës ajrore Fairford, ka thënë se telefonata e saj mund të ketë parandaluar një komplot të dyshuar terrorist. Gruaja, e cila jeton në Whelford dhe ka kërkuar të mbetet anonime, tha për BBC Radio 4 se ishte kthyer […]

Madhësia e shkronjave

Një fermere britanike që telefonoi numrin e emergjencës 999 pasi pa automjete dhe persona të maskuar pranë bazës ajrore Fairford, ka thënë se telefonata e saj mund të ketë parandaluar një komplot të dyshuar terrorist.

Gruaja, e cila jeton në Whelford dhe ka kërkuar të mbetet anonime, tha për BBC Radio 4 se ishte kthyer nga një festë pak pas mesnatës, kur pa tre furgonë të bardhë që kishin bllokuar rrugën dhe hyrjen në pronën e saj.

Kur u kthye me makinë, ajo tha se pa “një grup të madh burrash me kapuçë dhe maska”. Sipas saj, disa prej tyre u larguan drejt një fushe, ndërsa të tjerë drejt fshatit fqinj Kempsford.

Fermerja fillimisht tentoi të kontaktonte policinë e Ministrisë së Mbrojtjes, por nuk mori përgjigje. Më pas, në orën 01:36, telefonoi 999.

Ajo tha se brenda rreth 10 minutash zona u mbush me policë të armatosur, transmeton Telegrafi.

“Jam absolutisht e habitur që iu desh mua, si pjesëtare e publikut, ta shihja dhe ta raportoja këtë”, tha ajo.

Fermerja pretendon se telefonata e saj “zbuloi” atë që mund të kishte qenë plani i të dyshuarve dhe kritikoi masat e sigurisë rreth bazës.

“Mendoj se dikush dështoi rëndë në këtë situatë”, tha ajo, duke shtuar se ishte e habitshme që rrugët përreth bazës nuk po monitoroheshin më nga afër.

Sipas saj, furgonët ndodheshin vetëm disa metra larg banesave dhe banorët nuk ishin evakuuar deri rreth orës 06:00.

Megjithatë, ministri britanik i Mbrojtjes, Wes Streeting, e falënderoi publikisht fermeren për reagimin e shpejtë, por paralajmëroi se ajo kishte parë vetëm “një pjesë të pamjes” dhe se nuk mund të komentonte detajet operative të hetimit.

Ngjarja ndodhi pranë RAF Fairford, një bazë britanike që përdoret nga Forcat Ajrore të SHBA-së si pikë operimi për misione ushtarake. Policia Gloucestershire konfirmoi se kishte marrë një raport për tre automjete të dyshimta që po lëviznin drejt bazës rreth orës 00:45.

Pesë burra u arrestuan fillimisht në bazë të ligjit britanik për eksplozivët dhe më pas nën dyshimin për përgatitjen e një akti terrorist. Ata mbeten në paraburgim, ndërsa hetimi drejtohet nga Njësia Antiterror.

Një kordon prej 400 metrash u vendos rreth automjeteve, ndërsa ekipet e specializuara të ushtrisë për çaktivizimin e mjeteve shpërthyese nisën ekzaminimin e tyre. Rreth 85 familje u evakuuan nga zona si masë paraprake.

Streeting tha se hetimi është “në zhvillim të plotë”, por pranoi se autoritetet janë të kufizuara në atë që mund të bëjnë publike për shkak të sigurisë operative.

Presidenti amerikan Donald Trump tha se të dyshuarit ishin “nën vëzhgim për një kohë të gjatë” dhe se autoritetet “i kapën”.

Megjithatë, motivi i incidentit dhe objektivi i mundshëm i të dyshuarve mbeten pjesë e hetimit. Autoritetet britanike kanë kërkuar që publiku të mos spekulojë mbi rastin ndërsa vazhdojnë hetimet.

Fermerja, ndërkohë, ka ngritur pikëpyetje mbi sigurinë e zonës përreth bazës.

“Unë besoj se telefonata ime në 999 i prishi planet që ata mund të kishin”, tha ajo, duke shtuar se ishte e shqetësuar që një banor i zakonshëm kishte zbuluar një situatë të tillë pranë një baze ushtarake në gatishmëri të lartë. /Telegrafi/