Aksidenti me biçikletë në Japoni përfundoi me një gjest të paharrueshëm – historia e indianes bëhet virale

Life/Bizare

Një aksident i vogël me biçikletë në Japoni u shndërrua në një histori prekëse mirësie, pasi një mekanik vendas vendosi të ndihmonte një grua indiane pa i kërkuar asnjë pagesë. Sonam Midha, një indiane që jeton në Japoni, tregoi në një video të publikuar në Instagram se ishte duke shkuar në punë me biçikletë gjatë […]

Madhësia e shkronjave

Një aksident i vogël me biçikletë në Japoni u shndërrua në një histori prekëse mirësie, pasi një mekanik vendas vendosi të ndihmonte një grua indiane pa i kërkuar asnjë pagesë.

Sonam Midha, një indiane që jeton në Japoni, tregoi në një video të publikuar në Instagram se ishte duke shkuar në punë me biçikletë gjatë shiut, kur biçikleta i rrëshqiti dhe ajo u rrëzua.

Nga aksidenti, ajo pësoi një dëmtim në shpatull, ndërsa timoni i biçikletës u përkul. Pasi mori ndihmën e parë në vendin e punës, gjatë pushimit të drekës ajo vendosi të kërkonte një servis për ta riparuar biçikletën.

Sonam ishte e përgatitur të paguante për riparimin, pasi e dinte se edhe shërbimet e thjeshta të biçikletave në Japoni mund të kushtojnë relativisht shumë. Ajo tregoi se një herë kishte paguar rreth 500 jenë vetëm për rregullimin e lartësisë së ulëses.

Por kur mbërriti në servisin e biçikletave, reagimi i pronarit e befasoi, transmeton Telegrafi.

Në vend që të merrej menjëherë me biçikletën, mekaniku vuri re gjendjen e saj dhe e pyeti nëse ishte mirë. Më pas, ai rregulloi timonin dhe i dha edhe disa këshilla praktike për mënyrën se si duhet të ngiste biçikletën në rrugë të lagura.

Kur Sonam e pyeti “Ikura desu ka?”, që në japonisht do të thotë “Sa kushton?”, mekaniku buzëqeshi dhe i tha thjesht: “Asgjë.”

Gjesti i tij e preku thellë gruan, e cila vendosi t’ia kthente mirësinë në një mënyrë tjetër. Ajo shkoi në një restorant indian aty pranë dhe bleu një vakt të ngrohtë për mekanikun, si shenjë falënderimi.

Historia e saj u përhap shpejt në rrjetet sociale dhe mori reagime të shumta nga përdoruesit, të cilët vlerësuan si gjestin e mekanikut japonez, ashtu edhe mënyrën se si Sonam zgjodhi t’i përgjigjej mirësisë së tij.

“Jam krenar për ty. Dhe faleminderit që sigurove që një tjetër person nga një vend tjetër të marrë një përshtypje kaq pozitive për indianët”, shkroi një përdorues.

“Po qaj duke dëgjuar historinë tënde. Është kaq bukur të shohësh se sa zemërmirë mund të jenë njerëzit nga vende të tjera”, komentoi një tjetër.

Një tjetër përdorues e përmblodhi historinë me pak fjalë: “Të dyja vendet kanë mikpritje të jashtëzakonshme”.

Një incident i zakonshëm në rrugë, një biçikletë e dëmtuar dhe një shërbim pa pagesë u kthyen kështu në një histori që tregoi se një gjest i vogël mirësie mund të lërë gjurmë shumë më të mëdha sesa pritet, transmeton Telegrafi.