Albian Hajdari nuk do të jetë në dispozicion të Kosovës për ndeshjen ndaj Austrisë, e cila zhvillohet sot në Vjenë në kuadër të xhiros së dytë të Ligës B, Grupi 3 të Ligës së Kombeve.
Sipas listës zyrtare të publikuar në platformën e UEFA-s për ndeshjen Austri – Kosovë, Hajdari nuk figuron në mesin e 23 futbollistëve me të drejtë loje për këtë përballje.
Mungesa e tij është një lajm i keq për përzgjedhësin Franco Foda, pasi mbrojtësi i Hoffenheimit ishte titullar në ndeshjen e parë të Kosovës në këtë edicion të Ligës së Kombeve, në fitoren 1-0 ndaj Republikës së Irlandës.
Në atë takim, Hajdari luajti në qendrën e mbrojtjes në formacionin startues të Dardanëve.
Arsyet zyrtare të mungesës së Hajdarit nuk janë bërë ende të ditura.
Megjithatë, një ditë para ndeshjes, Hajdari ishte parë duke u stërvitur i diferencuar nga pjesa tjetër e skuadrës, së bashku me Edon Zhegrovën.
Të dy futbollistët kishin zhvilluar vetëm vrapime të lehta për shkak të shqetësimeve të pësuara në ndeshjen ndaj Irlandës. /Telegrafi/






