Nëntë të arrestuar në Zubin Potok nën dyshimin për krime lufte, rasti lidhet me “Grupin e intelektualëve”

Nacionale

Nëntë persona janë arrestuar në orët e hershme të mëngjesit të së dielës në komunën e Zubin Potokut, në kuadër të një operacioni të Policisë së Kosovës, të urdhëruar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës. Operacioni, i koduar me emrin “Dosja 23”, është zhvilluar nga Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve […]

Madhësia e shkronjave

Nëntë persona janë arrestuar në orët e hershme të mëngjesit të së dielës në komunën e Zubin Potokut, në kuadër të një operacioni të Policisë së Kosovës, të urdhëruar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

Operacioni, i koduar me emrin “Dosja 23”, është zhvilluar nga Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, në mbështetje edhe të njësive të tjera të specializuara policore.

Sipas njoftimit të përbashkët të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës, personat e arrestuar dyshohen për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

“Si rezultat i këtij operacioni janë arrestuar nëntë (9) persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘Krime lufte kundër popullsisë civile’”, thuhet në komunikatë.

Autoritetet kanë bërë të ditur se operacioni lidhet me rastin e njohur si “Grupi i intelektualëve”.

“Opercioni policor ndërlidhet me rastin e njohur si ‘Grupi i intelektualëve’”, thuhet më tej në njoftim.

Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë njoftuar se për detajet e tjera të operacionit dhe veprimet e ndërmarra do të informohet publiku në momentin kur këto informacione mund të bëhen publike.

“Për detaje të mëtejshme lidhur me operacionin dhe veprimet e ndërmarra, Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës do ta informojnë publikun në momentin kur informacioni mund të bëhet publik”, thuhet në komunikatën e përbashkët. /Telegrafi/