Koncertet e Ed Sheeran që duhej të mbaheshin këtë fundjavë në stadiumin Gillette, shtëpia e ekipit të NFL-së New England Patriots në pronësi të Robert Kraft, janë anuluar zyrtarisht për shkak të stuhisë së parashikuar.
Burime të njohura me situatën konfirmuan se koncertet e anuluara ishin planifikuar për të premten dhe të shtunën, dhe vendimi u mor për shkak të stuhisë së fortë që pritej në New England.
“Menaxhmenti i stadiumit dhe organizatorët e turneut, së bashku me zyrtarët e sigurisë publike, kanë monitoruar me kujdes parashikimin e motit gjatë javës së kaluar. Për shkak të kushteve të këqija të motit që priten gjatë fundjavës, turneu ka marrë vendimin e vështirë për të anuluar koncertet e Ed Sheeran në stadiumin Gillette”, tha përfaqësuesi i Robert Kraft.
“Vendimi u mor duke pasur si përparësi sigurinë e tifozëve, stafit dhe të gjithë të tjerëve që morën pjesë në organizimin e koncerteve. Rimbursimet tani janë të mundura në vendin ku janë blerë biletat. Klientët që kanë blerë bileta përmes Ticketmaster do të rimbursohen automatikisht”, shtoi ai.
Koncertet ishin menduar të mbaheshin të premten dhe të shtunën, por vendosja e skenës për dy shfaqje radhazi u pezullua të enjten për shkak të përkeqësimit të paralajmëruar të motit.
Në Foxborough të Massachusetts, ku ndodhet stadiumi Gillette, priten midis 25 dhe 50 milimetra shi, si dhe erëra deri në rreth 65 kilometra në orë, raportoi Fox Weather.
Anulimi i koncerteve vjen në një kohë kur turneu i Sheeran ishte tashmë në qendër të vëmendjes për shkak të polemikave rreth Macklemore.
Robert Kraft luajti një rol vendimtar në vendimin për ta larguar Macklemore nga turneu i Sheeran, pasi reperi shkaktoi reagime negative gjatë një koncerti të mëparshëm me mesazhe pro-Palestine, duke përfshirë edhe brohoritjet “Liri për Palestinën”. Sipas mediave amerikane, pavarësisht paralajmërimeve, Macklemore e përsëriti atë mesazh mbrëmjen pasardhëse.
Sheeran performoi i vetëm në Filadelfia fundjavën e kaluar, pasi performuesit e mbetur hapës dhe anëtarët e grupit të tij shoqërues u larguan nga turneu në shenjë solidariteti me Macklemore.
Ndërkohë, organizata Masaçusets Pace Action, e cila avokon për përfundimin e konfliktit midis Izraelit dhe Palestinës, ka njoftuar një protestë përpara koncertit të së shtunës në stadiumin Gillette.
Anulimi për shkak të motit vjen vetëm një ditë pasi Macklemore kritikoi publikisht Sheeran dhe Kraft për njoftimin e turneut të tij “Free Palestine Tou”. /Telegrafi/






