Ish-futbollisti i Anglisë, Andy Carroll, ka zbuluar në librin e tij të ri Owning It se është sulmuar seksualisht disa vite më parë nga një personazh i njohur, të cilin e përshkruan si mik të ish-partneres së tij.
Carroll, 37 vjeç, tregon se ngjarja ndodhi pas një ndeshjeje të Newcastle United, kur personi në fjalë shkoi në shtëpinë e tij për të parë një ndeshje boksi. Sipas rrëfimit të futbollistit, gjatë mbrëmjes ai nisi të ndihej i trullosur dhe më pas shkoi të flinte.
Ai pretendon se u zgjua duke kuptuar se po sulmohej seksualisht. Carroll tregon se e goditi personin dhe e nxori nga shtëpia, përpara se të telefononte policinë. Fillimisht, edhe ai u shoqërua në polici, pasi sulmuesi pretendoi se ishte goditur pa arsye, shkruan DailyMail.
Më vonë, personi u shpall fajtor për vepra seksuale dhe u dënua me tre vite burg. Ai u vendos gjithashtu në regjistrin e personave të dënuar për vepra seksuale dhe iu ndalua të hynte në fshatin ku jetonte Carroll. I akuzuari i kishte mohuar akuzat.
Carroll e përshkroi procesin gjyqësor, i cili zgjati rreth dy vite, si jashtëzakonisht poshtërues dhe të rëndë emocionalisht. Ai tha se ngjarja ndikoi në çdo aspekt të jetës së tij dhe se trauma vazhdon ta shoqërojë.
Futbollisti tregoi se fillimisht hezitoi ta përfshinte historinë në libër, por pas diskutimeve të gjata me partneren e tij, Lou Teasdale, vendosi ta bëjë publike me shpresën se rrëfimi i tij mund të ndihmojë edhe persona të tjerë që kanë përjetuar sulme seksuale. /Telegrafi/






