Aksion i madh kundër mafies italiane – 3.2 milionë euro u gjetën në mure, dysheme dhe mobilie

Bota

Tridhjetë e katër persona janë arrestuar dhe 3.2 milionë euro në para të gatshme janë sekuestruar pasi u gjetën të fshehura në muret, dyshemetë dhe mobiliet e një apartamenti në Caivano, në periferi të Napolit. Të arrestuarit dyshohen për pjesëmarrje në një organizatë kriminale të tipit mafioz, trafik droge, zhvatje dhe posedim të lëndëve narkotike […]

Madhësia e shkronjave

Tridhjetë e katër persona janë arrestuar dhe 3.2 milionë euro në para të gatshme janë sekuestruar pasi u gjetën të fshehura në muret, dyshemetë dhe mobiliet e një apartamenti në Caivano, në periferi të Napolit.

Të arrestuarit dyshohen për pjesëmarrje në një organizatë kriminale të tipit mafioz, trafik droge, zhvatje dhe posedim të lëndëve narkotike me qëllim shitjen e tyre.

Sipas Karabinierëve në Napoli, gjatë kontrollit të apartamentit në Caivano u gjetën tufa me kartëmonedha prej 50 eurosh, të mbështjella me kujdes në celofan dhe të fshehura nën pllakat e dyshemesë dhe mureve, si dhe në sirtarë të fshehtë të dollapëve.

Paratë u nxorën nga objekti me kova plastike dhe u transportuan me një automjet të blinduar.

Përveç parave të gatshme, autoritetet sekuestruan edhe 11 orë luksoze Rolex, armë zjarri dhe pajisje për shitjen e drogës.

Hetuesit zbuluan edhe mënyrën e funksionimit të grupit kriminal, i cili kishte krijuar një model të organizimit të ngjashëm me një biznes, duke i ndarë anëtarët në turne për të mundësuar vazhdimisht trafikimin e drogës dhe kryerjen e zhvatjeve.

Aksioni ishte rezultat i një operacioni sekret disa muajsh, të drejtuar nga prokurori i njohur antimafioz i Napolit, Nicola Gratteri.

Një rol kyç në hetim patën informacionet e dhëna nga informatorët dhe përgjimet e bisedave telefonike të anëtarëve të mafies që ndodheshin në burg, të cilëve të afërmit u dërgonin celularë në mënyrë të fshehtë.

Të gjitha paratë e sekuestruara do të transferohen në Fondin Shtetëror për Drejtësinë, i cili përdoret për të financuar ndihmën për viktimat e krimit të organizuar.

Sipas autoriteteve, të arrestuarit dyshohet se janë pjesëtarë të klanit të njohur Angelino, i cili kishte depërtuar në një masë të konsiderueshme në pushtetin lokal në Caivano. Për këtë arsye, administrata komunale e qytetit ishte vendosur vitin e kaluar nën mbikëqyrje të drejtpërdrejtë gjyqësore.

Sekuestrimi dhe arrestimet kanë shkaktuar edhe reagime politike në Itali. Qeveria e kryeministres Giorgia Meloni kishte nisur në vitin 2023 “Modelin Caivano”, një projekt për rigjenerimin urban dhe parandalimin e krimit, me synim revitalizimin e zonave të neglizhuara. /Telegrafi/