Britania e Madhe do t’i ofrojë mbështetje ushtarake Arabisë Saudite në operacionet kundër rebelëve Huthi në Jemen, njoftoi ministri britanik i Mbrojtjes, Luke Pollard.
Në kuadër të kësaj mbështetjeje, Britania do të dislokojë një aeroplan të forcave ajrore britanike RAF Voyager, i cili do të operojë nga një bazë britanike në Qipro dhe do të përdoret për furnizimin me karburant të aeroplanëve në ajër.
Pollard tha se vendimi është marrë për arsye të sigurisë kombëtare dhe se mbështetja britanike do të ofrohet në përputhje me të drejtën ndërkombëtare humanitare.
“Huthët përbëjnë një kërcënim të rrezikshëm për stabilitetin rajonal në Lindjen e Mesme”, tha ministri britanik, duke shtuar se frenimi i objektivave të grupit është në interesin ekonomik dhe të sigurisë së Britanisë së Madhe.
Vendimi i Londrës vjen pas kërkesës së Arabisë Saudite për mbështetje ushtarake, ndërsa Huthët kanë shtuar sulmet me dronë dhe raketa ndaj territorit saudit, shkruan bbc.
Ministria britanike e Mbrojtjes bëri të ditur se aeroplani RAF Voyager do të përdoret në mbështetje të aktiviteteve mbrojtëse të Arabisë Saudite dhe qeverisë së njohur ndërkombëtarisht të Jemenit.
Huthët, të cilët kontrollojnë pjesë të mëdha të Jemenit, kanë kryer sulme ndaj qyteteve saudite, infrastrukturës së naftës dhe anijeve në Detin e Kuq. Grupi kërkon heqjen e bllokadës saudite ndaj Jemenit dhe ka kërcënuar se do të vazhdojë sulmet ndaj Arabisë Saudite dhe transportit detar në rajon.
Ndërkohë, luftimet e fundit kanë shkaktuar një valë të re zhvendosjesh. Agjencia e OKB-së për Refugjatët (UNHCR) ka paralajmëruar se rreth 230 mijë persona të zhvendosur në Jemen dhe 10 mijë refugjatë në Xhibuti mund të kenë nevojë për ndihmë humanitare gjatë muajve të ardhshëm.
Sipas UNHCR-së, më shumë se 130 mijë persona janë zhvendosur brenda Jemenit, ndërsa rreth 3 mijë të tjerë kanë ikur në Xhibuti që nga rifillimi i luftimeve në fillim të shtatorit. /Telegrafi/






