Udhëtarët në Britani dhe Irlandë u përballën të hënën me vonesa dhe anulime fluturimesh, pasi sistemet e kontrollit të trafikut ajror pësuan një tjetër problem teknik – i dyti brenda këtij muaji.
Operatori britanik i kontrollit ajror, NATS, njoftoi se kishte zbuluar një problem me lidhjen në një pjesë të rrjetit të sistemeve të tij në qendrën e Prestwick, në Skoci.
NATS theksoi se defekti i fundit ishte i ndryshëm nga problemi që shkaktoi kaos në rrjetin e aviacionit në fillim të muajit, transmeton Telegrafi.
Rreth orës 11:00 sipas kohës lokale, kompania njoftoi se problemi ishte zgjidhur dhe se po punonte me kompanitë ajrore dhe aeroportet për të hequr kufizimet e vendosura në trafikun ajror.
Megjithatë, pasojat vazhduan edhe pas rikthimit të sistemit. Sipas Flightradar24, probleme të mëdha u regjistruan në aeroportet e Edinburgut, Glasgout dhe Newcastle, ndërsa vonesa pati edhe në Manchester, Birmingham, Belfast, London Luton, London Gatwick dhe Dublin.
Aeroporti i Glasgout paralajmëroi se vonesat mund të vazhdonin për shkak të efektit zinxhir në të gjithë rrjetin e aviacionit. Edhe aeroporti i Manchesterit tha se operacionet po ktheheshin gradualisht në normalitet, por paralajmëroi për ndërprerje të tjera të mundshme.
Pasagjerëve iu kërkua të kontrollonin me kompanitë ajrore statusin e fluturimeve përpara se të niseshin drejt aeroportit.
Ky është problemi i dytë madhor i kontrollit ajror në Britani dhe Irlandë brenda pak javësh. Në fillim të muajit, një defekt në sistemin e përpunimit të fluturimeve të NATS shkaktoi ndërprerje të mëdha në të gjithë rrjetin.
Në atë kohë, NATS e përshkroi rikuperimin si “shumë kompleks”, duke paralajmëruar se do të duhej kohë që sistemi i aviacionit të rikthehej plotësisht.
Ndërkohë, kompania ajrore irlandeze Ryanair ka kërkuar dorëheqjen e shefit ekzekutiv të NATS, Martin Rolfe.
Ryanair deklaroi se pasagjerët britanikë “nuk mund të vazhdojnë të vuajnë” nga ndërprerje të përsëritura të shkaktuara nga dështimet e sistemeve, procedurat e pamjaftueshme rezervë dhe problemet e menaxhimit. /Telegrafi/






