Rafineria kryesore e Moskës, në pronësi të Gazprom Neft, ka ndaluar përpunimin e naftës së papërpunuar pasi zjarret përfshinë njësitë kryesore të distilimit pas një sulmi me dronë ukrainas të dielën.
Sipas tre burimeve të industrisë, të cituara nga Reuters, të dyja njësitë kryesore të distilimit të rafinerisë u përfshinë nga zjarri pasi dronët u rrëzuan në kompleks.
Burimet thonë se dëmet mund të kërkojnë disa javë për t’u riparuar, çka do të mbajë të pezulluar operacionet e rafinerisë, transmeton Telegrafi.

Kryetari i Moskës, Sergei Sobyanin, njoftoi të dielën se një objekt industrial në territorin e rafinerisë ishte dëmtuar gjatë një sulmi me dronë ndaj kryeqytetit rus.
Njësia AVT-6 ka kapacitet prej rreth 21,400 tonësh naftë në ditë, që përbën 53 për qind të kapacitetit total të rafinerisë. Ndërsa kompleksi EURO+ përpunon rreth 18,800 tonë në ditë, ose 47 për qind të kapacitetit.
Një tjetër tregues i ndërprerjes së prodhimit është se karburantet e prodhuara nga rafineria e Moskës nuk janë ofruar për shitje në Bursën Ndërkombëtare të Mallrave të Shën Petersburgut që nga 21 shtatori.
Në vitin 2024, rafineria përpunoi rreth 11.6 milionë tonë naftë të papërpunuar, ekuivalente me rreth 230 mijë fuçi në ditë.
Nga ky proces u prodhuan rreth 2.9 milionë tonë benzinë, 3.2 milionë tonë naftë dizel dhe 1.3 milionë tonë bitum.
Sulmi vjen në një kohë kur infrastruktura energjetike dhe objektet e përpunimit të naftës në Rusi janë bërë objektiv i përsëritur i sulmeve me dronë nga Ukraina.





