Kaos në aeroportet e SHBA-së, ndalen përkohësisht fluturimet në gjashtë aeroporte

Bota

Një problem teknik në sistemet e kontrollit të trafikut ajror ka shkaktuar ndërprerje të mëdha në gjashtë aeroporte në verilindje të SHBA-së, duke sjellë vonesa dhe anulime për mijëra udhëtarë. Administrata Federale e Aviacionit e SHBA-së (FAA) urdhëroi ndalesa të përkohshme për nisjet dhe mbërritjet në aeroportet Newark Liberty, Philadelphia International, John F. Kennedy International, […]

Madhësia e shkronjave

Një problem teknik në sistemet e kontrollit të trafikut ajror ka shkaktuar ndërprerje të mëdha në gjashtë aeroporte në verilindje të SHBA-së, duke sjellë vonesa dhe anulime për mijëra udhëtarë.

Administrata Federale e Aviacionit e SHBA-së (FAA) urdhëroi ndalesa të përkohshme për nisjet dhe mbërritjet në aeroportet Newark Liberty, Philadelphia International, John F. Kennedy International, LaGuardia, Teterboro dhe Westchester County.

Problemet më të mëdha janë raportuar në aeroportet e Newarkut dhe Filadelfias, transmeton Telegrafi.

Sipas të dhënave të platformës së gjurmimit të fluturimeve Flightradar24, vonesat mesatare në Newark kanë arritur rreth 170 minuta, ndërsa në Filadelfia rreth 60 minuta.

Në Newark, deri rreth orës 13:00 sipas kohës lokale, ishin regjistruar 92 anulime dhe afro 70 devijime fluturimesh.

“Për shkak të një defekti në pajisjet e FAA-së, nisjet dhe mbërritjet aktualisht po përballen me vonesa”, njoftoi aeroporti i Newarkut, duke u kërkuar udhëtarëve të kontaktojnë kompanitë e tyre ajrore për informacion mbi statusin e fluturimeve.

Sipas FAA-së, defekti lidhej me disa frekuenca në Philadelphia Terminal Radio Approach Control (TRACON), një prej qendrave që menaxhon trafikun ajror në zonë.

Administratori i FAA-së, Bryan Bedford, tha se kishte dështuar qarku kryesor i komunikimit në TRACON-in e Filadelfias.

Situata u komplikua edhe më tej pasi një ekip ndërtimi kishte dëmtuar aksidentalisht një kabllo rezervë me fibër optike, duke kufizuar alternativën e disponueshme për sistemin.

Bedford tha se një qark i ri pritej të vihej në funksion rreth orës 13:30, me synimin për të rikthyer gradualisht operimin normal të trafikut ajror.

Ndërkohë, udhëtarëve u është kërkuar të kontrollojnë drejtpërdrejt me kompanitë ajrore përpara se të nisen drejt aeroporteve, pasi vonesat dhe ndryshimet në oraret e fluturimeve mund të vazhdojnë edhe pas rikthimit të sistemeve. /Telegrafi/