Yan Diomande po shfaqet gjithnjë e më shumë si një alternativë serioze për formacionin titullar të Real Madridit, pas një tjetër paraqitjeje mbresëlënëse në humbjen 2-1 ndaj Atletico Madridit.
Sulmuesi nga Bregu i Fildishtë po hyn tashmë në konkurrencë të drejtpërdrejtë me Vinicius Junior, i cili po kalon një periudhë jo të mirë në fillim të këtij sezoni.
Diomande iu bashkua Real Madridit nga RB Leipzig në një transferim rekord për klubin, që mund të arrijë në 140 milionë euro me bonuset.
Megjithatë, Jose Mourinho fillimisht ka preferuar ta menaxhojë me kujdes minutazhin e 19-vjeçarit.
Pas një integrimi gradual, Diomande startoi ndaj Rayo Vallecanos dhe Elches, përpara se të rikthehej në stol për derbin e Madridit.
Por hyrja e tij në pjesën e dytë ndaj Atletico Madridit ishte një tjetër dëshmi e potencialit që posedon.
Real Madridi kishte mbetur me dhjetë lojtarë pas kartonit të kuq të Dean Huijsen, ndërsa Mourinho e aktivizoi Diomanden në minutën e 54-t, duke zëvendësuar Viniciusin.
Sulmuesi i ri menjëherë solli rrezik në krahun e djathtë dhe vazhdoi të kërkonte hapësira në sulm edhe pasi Reali pësoi golin e dytë pak minuta pas hyrjes së tij.
Në 36 minuta lojë, Diomande kompletoi katër nga gjashtë driblimet e tentuara, pati 90 për qind saktësi në pasime dhe fitoi nëntë nga 12 duelet.
Madje, ai realizoi po aq driblime sa Viniciusi dhe Kylian Mbappe së bashku gjatë gjithë ndeshjes, pavarësisht se luajti në një skuadër me një lojtar më pak.
Paraqitja e Diomandes vjen në një moment jo të mirë për Viniciusin.
Braziliani u zëvendësua pas një tjetër paraqitjeje nën pritshmëri, ndërsa e pranoi vendimin e Mourinhos dhe pas përfundimit të ndeshjes u drejtua menjëherë në dhomat e zhveshjes.
Sipas “AS”, Diomande pritet të hyjë tashmë në një konkurrencë të drejtpërdrejtë me Viniciusin për një vend në formacionin titullar të Mourinhos pas rikthimit nga ndeshjet e kombëtareve.
Forma e tij në minutat e fundit duket se i ka dhënë trajnerit portugez një tjetër dilemë për përzgjedhjen e formacionit. /Telegrafi/






