Këngëtarja Bleona Qereti ka reaguar në rrjetet sociale pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke publikuar një fotografi të bashkëshortes së Jakup Krasniqit.
Në postimin e saj, Bleona ka vënë theksin te ndikimi që procesi dhe vendimi gjyqësor kanë te familjet e të dënuarve, duke shprehur solidaritet me familjen Krasniqi.

Ajo ka shkruar se pas çdo vendimi gjyqësor qëndrojnë njerëz, familje dhe vite ndarjeje e pasigurie, duke shtuar se, sipas saj, “dhimbja nuk mund të injorohet”.
Qereti gjithashtu ka argumentuar se respektimi i shtetit të së drejtës nuk duhet të nënkuptojë heshtje kur ngrihen shqetësime për trajtim të barabartë dhe drejtësi.
“Ky nuk është një sulm personal ndaj ndonjë gjyqtari; është një kërkesë për drejtësi, ekuilibër dhe përgjegjësi të barabartë”, ka shkruar ajo.
Reagimi i Bleonës vjen pak ditë pas vendimit ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit, të cilët u dënuan me gjithsej 81 vite burgim.
Në Prishtinë ndërkaq që disa ditë po mbahen protesta në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së. /Telegrafi/





