Drenica ka shënuar fitore bindëse në kuadër të xhiros së shtatë të Superligës së Kosovës, duke mposhtur Llapin me rezultat të thellë 4-0 në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj.
Kjo ndeshje kishte një veçanti të rëndësishme për stadiumin “Bajram Aliu”, pasi për herë të parë një ndeshje u zhvillua nën reflektorë. Përballja tërhoqi edhe një numër të madh shikuesish në tribuna, duke krijuar një atmosferë të veçantë në Skenderaj.
Drenica e nisi ndeshjen më mirë dhe e gjeti golin e epërsisë në minutën e 14-të. Gjergji Kote ishte ai që realizoi për 1-0, duke i dhënë skuadrës vendase avantazhin e parë në këtë takim.
Drenica vazhdoi të ishte më e rrezikshme dhe para përfundimit të pjesës së parë e dyfishoi epërsinë. Në minutën e 41-të, Adrian Durmishaj shënoi për 2-0, ndërsa vetëm tri minuta më vonë, Kote realizoi edhe golin e dytë personal për 3-0.
Me epërsi të trefishtë, Drenica shkoi në pushim dhe e kishte shumë më të lehtë menaxhimin e pjesës së dytë. Llapi tentoi të reagonte, por nuk arriti ta ndryshonte rrjedhën e takimit.
Goli i katërt dhe i fundit i ndeshjes u shënua në minutën e 70-të. Agim Zeka realizoi për 4-0, duke vulosur një mbrëmje të jashtëzakonshme për Drenicën në “Bajram Aliu”.
Kjo ishte një fitore e rëndësishme për Drenicën, që ka tash 9 pikë, ndërsa Llapi mbetet vetëm me 3 pikë pas shtatë xhirove. /Telegrafi/






