Drita triumfon në Klinë, Dukagjini ndalet nga shtylla në fund

Sport

Drita ka shënuar fitore të rëndësishme në udhëtim ndaj Dukagjinit, duke triumfuar 2-1 në stadiumin “13 Qershori” në Klinë, në kuadër të xhiros së shtatë të Superligës së Kosovës. Skuadra gjilanase e nisi më mirë ndeshjen dhe pas disa aksioneve të mira arriti ta zhbllokojë rezultatin në minutën e 34-t. Liridon Balaj asistoi për Blerim […]

Madhësia e shkronjave

Drita ka shënuar fitore të rëndësishme në udhëtim ndaj Dukagjinit, duke triumfuar 2-1 në stadiumin “13 Qershori” në Klinë, në kuadër të xhiros së shtatë të Superligës së Kosovës.

Skuadra gjilanase e nisi më mirë ndeshjen dhe pas disa aksioneve të mira arriti ta zhbllokojë rezultatin në minutën e 34-t. Liridon Balaj asistoi për Blerim Krasniqin, i cili u tregua i saktë përballë portierit dhe shënoi për 1-0.

Dukagjini tentoi të reagonte deri në fund të pjesës së parë, por pavarësisht përpjekjeve të klinasve, Drita arriti ta ruajë epërsinë dhe skuadrat shkuan në pushim me rezultatin 0-1.

Edhe fillimi i pjesës së dytë i takoi Dritës, e cila arriti ta dyfishojë epërsinë. Pas një tollovie në zonën e vendasve, Besnik Krasniqi u gjend më së miri dhe nga afërsia, me qetësi, e dërgoi topin në rrjetë për 2-0.

Megjithatë, Dukagjini nuk u dorëzua dhe në minutat në vazhdim arriti ta hapë sërish ndeshjen. Dienit Isufi realizoi për 2-1, duke rikthyer shpresat e vendasve për të marrë të paktën një pikë.

Klinasit vazhduan të kërkonin golin e barazimit dhe në fund iu afruan shumë. Në kohën shtesë, Dukagjini pati një mundësi të artë për 2-2, por goditja u ndal nga shtylla, duke i mohuar vendasve një rikthim të mundshëm.

Drita e menaxhoi epërsinë deri në vërshëllimën e fundit dhe mori tri pikë të rëndësishme nga ky udhëtim. Me këtë fitore, Drita ngjitet në 11 pikë, ndërsa Dukagjini mbetet në vendin e tretë me 12 pikë. /Telegrafi/