Policia e Kosovës ka njoftuar se ka angazhuar kapacitetet e nevojshme njerëzore dhe logjistike për protestën e paralajmëruar për sonte, më 20 shtator, në orën 21:00, në sheshin qendror të Prishtinës, kundër aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë.
Përmes një njoftimi, Policia ka bërë të ditur se angazhimet e saj synojnë ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe menaxhimin e trafikut gjatë dhe pas protestës.
Policia ka rikujtuar se pas protestave të zhvilluara ditëve të fundit në kryeqytet, grupe të caktuara të pjesëmarrësve, përfshirë persona me maska, kanë vazhduar të lëvizin me automjete nëpër rrugët e Prishtinës.

Sipas Policisë, disa prej tyre kanë drejtuar automjetet në mënyrë të pakontrolluar dhe të rrezikshme, ndërsa persona të tjerë kanë dalë apo kanë qëndruar në dritaret dhe mbi automjete, duke rrezikuar veten, këmbësorët dhe pjesëmarrësit e tjerë në trafik.
Policia ka sqaruar se veprimet e zyrtarëve policorë në terren kanë të bëjnë me parandalimin e këtyre sjelljeve dhe jo me simbolet që qytetarët mbajnë gjatë protestave apo në automjetet e tyre.
Në këtë kontekst, Policia ka përgënjeshtruar pretendimet e publikuara në rrjetet sociale se qytetarët po ndalohen, ndëshkohen apo se ndaj tyre po ushtrohet dhunë për shkak të flamujve të UÇK-së.
“Me përgjegjësi të plotë ju njoftojmë se Policia e Republikës së Kosovës nuk ka ndaluar, ndëshkuar, e as ushtruar dhunë ndaj asnjë qytetari, për shkak të simboleve historike kombëtare apo simboleve të UÇK-së, por për shkak të shkeljeve ligjore”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Sipas Policisë, garantimi i sigurisë së qytetarëve, mbarëvajtja e protestës në mënyrë të qetë, menaxhimi i trafikut dhe parandalimi i vozitjeve të rrezikshme janë pjesë e detyrave të saj dhe realizohen në interes të sigurisë së përgjithshme.
Në fund, Policia u ka bërë thirrje qytetarëve dhe mediave që të mbështeten në informacionet zyrtare dhe të shmangin përhapjen e pretendimeve të pakonfirmuara./Telegrafi.





