Operacioni “Vivaldi”, Ukraina thotë se çliroi dy fshatra dhe mori kontrollin e plotë të një tjetri

Bota

Forcat ukrainase pretendojnë se kanë çliruar dy fshatra dhe kanë vendosur kontrollin e plotë mbi një tjetër në rajonin e Donetskut, gjatë fazës së dytë të operacionit kundërofensiv “Vivaldi”. Sipas komandantit të Korpusit të 3-të të Ushtrisë së Ukrainës, gjeneral brigade Andrii Biletskyi, trupat ukrainase kanë rimarrë kontrollin e Shandryholoves dhe Deryloves, ndërsa Drobysheve tashmë […]

Madhësia e shkronjave

Forcat ukrainase pretendojnë se kanë çliruar dy fshatra dhe kanë vendosur kontrollin e plotë mbi një tjetër në rajonin e Donetskut, gjatë fazës së dytë të operacionit kundërofensiv “Vivaldi”.

Sipas komandantit të Korpusit të 3-të të Ushtrisë së Ukrainës, gjeneral brigade Andrii Biletskyi, trupat ukrainase kanë rimarrë kontrollin e Shandryholoves dhe Deryloves, ndërsa Drobysheve tashmë ndodhet nën kontrollin e plotë të Ukrainës.

Biletskyi tha se gjatë fazës së dytë të operacionit, forcat ukrainase kanë rimarrë kontrollin mbi rreth 40 kilometra katrorë territor, transmeton Telegrafi.

Në total, gjatë dy fazave të operacionit “Vivaldi”, Korpusi i 3-të dhe njësitë e bashkangjitura pretendojnë se kanë rikthyer kontrollin mbi 125 kilometra katrorë territor, prej të cilave rreth 50 kilometra katrorë janë çliruar nga forcat ruse.

“Shandryholove dhe Derylove janë çliruar. Drobysheve është nën kontrollin e plotë ukrainas. Vlen të theksohet se Shandryholove është një pikë kritike si për trupat tona, ashtu edhe për armikun”, deklaroi Biletskyi.

Sipas Korpusit të 3-të, gjatë fazës së dytë të operacionit forcat ruse kanë pësuar rreth 800 humbje në njerëz, ndërsa gjatë të dyja fazave së bashku humbjet ruse, sipas pretendimeve ukrainase, kanë kaluar 3 mijë trupa.

Operacioni “Vivaldi” është ende në zhvillim. Më 15 shtator, Korpusi i 3-të i Ushtrisë së Ukrainës kishte njoftuar se gjatë operacioneve kundërofensive në pjesën veriore të Donetskut kishte kryer operacione për pastrimin e rreth 75 kilometrave katrorë dhe kishte çliruar edhe 10 kilometra katrorë të tjerë.

Pretendimet për territorin e rimarrë dhe humbjet ruse nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur. /Telegrafi/