Kurti viziton shkollën në Bronx ku zbatohet programi dygjuhësh anglisht-shqip

Nacionale

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar shkollën publike amerikane P.S. 108 Philip J. Abinanti në Bronx të New Yorkut, ku që nga shtatori i vitit të kaluar po zbatohet për herë të parë një program akademik dygjuhësh në anglisht dhe shqip. Gjatë vizitës, Kurti u shpërndau nxënësve fletore pune, libra leximi dhe abetare, ndërsa […]

Madhësia e shkronjave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar shkollën publike amerikane P.S. 108 Philip J. Abinanti në Bronx të New Yorkut, ku që nga shtatori i vitit të kaluar po zbatohet për herë të parë një program akademik dygjuhësh në anglisht dhe shqip.

Gjatë vizitës, Kurti u shpërndau nxënësve fletore pune, libra leximi dhe abetare, ndërsa në fjalën e tij përshëndetëse shprehu mirënjohjen e Qeverisë së Kosovës për punën e bërë në funksion të ruajtjes dhe mësimit të gjuhës shqipe në komunitetin shqiptaro-amerikan.

Ai tha se Qeveria e Kosovës do ta mbështesë shkollën edhe në të ardhmen.

Kurti vlerësoi veçanërisht kontributin e shqiptaro-amerikanëve Mark Gjonaj dhe Drita Gjongecaj në inicimin e programit të mësimit në gjuhën shqipe.

Sipas tij, ruajtja e gjuhës shqipe ka qenë një prej arritjeve të rëndësishme të shqiptarëve dhe një prej mjeteve kryesore për ruajtjen e identitetit kombëtar.

“Gjuha nuk është vetëm mjet komunikimi. Është edhe themel identiteti. Gjuha e bart kujtesën kolektive të një populli”, tha Kurti.

Kryeministri foli edhe për historinë e mbijetesës së gjuhës shqipe, duke theksuar se ajo është ruajtur ndër breza falë përkushtimit të njerëzve për ta përcjellë atë te brezat e rinj.

Ai përmendi edhe komunitetin arbëresh në Itali si shembull të ruajtjes së shqipes jashtë trojeve shqiptare për më shumë se pesë shekuj.

“Shqipja ka mbetur edhe larg atdheut gjallë. Arbëreshët e Italisë e kanë ruajtur gjuhën e tyre për më shumë se pesë shekuj”, tha Kurti.

Duke iu referuar Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Kurti tha se rilindësit nuk synonin vetëm mbijetesën e shqipes, por që ajo të shndërrohej në gjuhë të dijes, kulturës, shkencës dhe mendimit.

Programi dygjuhësh në P.S. 108 Philip J. Abinanti përbën një nga përpjekjet për ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe brenda sistemit arsimor publik amerikan, duke u mundësuar nxënësve të mësojnë në të dyja gjuhët. /Telegrafi/