Zbulohen detaje të reja të Superkupës së Spanjës: Datat, çiftet, stadiumi dhe milionat që i presin klubet

Sport

Gjithçka është zyrtarizuar për edicionin e vitit 2027 të Superkupës së Spanjës, e cila do të zhvillohet në Stamboll të Turqisë, duke sjellë përballë katër prej skuadrave më të mëdha të futbollit spanjoll. Turneu do të zhvillohet në fillim të shkurtit të vitit 2027, ndërsa Barcelona do të jetë sërish pjesë e garës, pasi ka […]

Madhësia e shkronjave

Gjithçka është zyrtarizuar për edicionin e vitit 2027 të Superkupës së Spanjës, e cila do të zhvillohet në Stamboll të Turqisë, duke sjellë përballë katër prej skuadrave më të mëdha të futbollit spanjoll.

Turneu do të zhvillohet në fillim të shkurtit të vitit 2027, ndërsa Barcelona do të jetë sërish pjesë e garës, pasi ka fituar dy edicionet e fundit.

Federata Mbretërore Spanjolle e Futbollit (RFEF) ka konfirmuar Stambollin si nikoqir të turneut, me ndeshjet që do të zhvillohen në stadiumin olimpik “Ataturk”.

Presidenti i RFEF-së, Rafael Louzan, pritet të marrë pjesë në ceremoninë zyrtare të prezantimit dhe nënshkrimit të marrëveshjes në Stamboll, së bashku me përfaqësues të lartë të institucioneve turke dhe ndërkombëtare.

Stambolli u përzgjodh pasi Arabia Saudite, e cila ka qenë nikoqire e zakonshme e Superkupës, do të ketë një angazhim tjetër madhor sportiv në atë periudhë. Përzgjedhja e qytetit turk erdhi pas një procesi vlerësimi të zhvilluar së bashku me kompaninë SELA, partnere e RFEF-së në organizimin e turneut jashtë Spanjës.

Në edicionin e vitit 2027 do të marrin pjesë Barcelona, Real Madridi, Real Sociedad dhe Atletico Madridi.

Gjysmëfinalja e parë do të zhvillohet më 2 shkurt, me Real Sociedadin që do të përballet me Real Madridin, ndërsa po atë ditë Barcelona do të takohet me Atletico Madridin.

Finalja është planifikuar për 7 shkurt, me fituesit e dy gjysmëfinaleve që do të luftojnë për trofeun.

Përveç trofeut, pjesëmarrja në këtë turne sjell edhe një përfitim të rëndësishëm financiar. Sipas marrëveshjes së raportuar nga AS, katër klubet pjesëmarrëse kanë rënë dakord që të ndajnë në mënyrë të barabartë një shumë prej 40 milionë eurosh.

RFEF thekson gjithashtu se organizimi i Superkupës jashtë Spanjës gjeneron të ardhura që më pas kontribuojnë në mbështetjen e qindra klubeve të kategorive më të ulëta të futbollit spanjoll, si në konkurrencën e meshkujve ashtu edhe te femrat.

Ndeshjet e Superkupës së Spanjës pritet të transmetohen në më shumë se 150 vende në mbarë botën, duke e kthyer turneun në një tjetër ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare të futbollit spanjoll./Telegrafi/