Ylli i Real Madridit, Kylian Mbappe, ka folur sërish për garën për Topin e Artë 2026, duke bërë të qartë se synon ta fitojë trofeun prestigjioz dhe ta rikthejë atë në Madrid.
Sulmuesi francez beson se ky mund të jetë viti i duhur për të triumfuar, ndërsa theksoi se paraqitjet e tij në fushë janë argumenti më i fortë në favor të tij.
“Mendoj se ky është një vit i mirë për ta fituar. Avokati im më i mirë janë këmbët e mia. Pavarësisht se sa mund të flas, gjëja më e rëndësishme për mua është që Topi i Artë të rikthehet te Real Madridi”.
“Ai duhet të rikthehet në Bernabeu, te tifozët e Madridit, për t’u sjellë sërish gëzim të gjithë këtyre njerëzve. Ata e meritojnë më shumë se kushdo tjetër”, deklaroi Mbappe.
Francezi u pyet gjithashtu për rivalin e tij në garën për Topin e Artë, yllin e Barcelonës, Lamine Yamal.
Mbappe u tregua respektues ndaj talentit të 19-vjeçarit, duke parashikuar një të ardhme të ndritur për të.
“Është një lojtar shumë i talentuar dhe kam ndjesinë se do të ketë një karrierë të madhe. I uroj gjithë të mirat”, u shpreh Mbappe për yllin e Barcelonës. /Telegrafi/






