Djali i dëshmorit Xhavit Haziri thërret për protestë sonte në shesh

Nacionale

Çlirim Haziri, djali i dëshmorit Xhavit Haziri, ka bërë thirrje për tubim sonte në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, pas aktgjykimit ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Haziri ka thënë se vendimi i sotëm përbën, sipas tij, një goditje të rëndë dhe se është “totalisht i papranueshëm”. “Me shpresën dhe bindjen e fortë për drejtësi, mbrëmë na […]

Madhësia e shkronjave

Çlirim Haziri, djali i dëshmorit Xhavit Haziri, ka bërë thirrje për tubim sonte në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, pas aktgjykimit ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.

Haziri ka thënë se vendimi i sotëm përbën, sipas tij, një goditje të rëndë dhe se është “totalisht i papranueshëm”.

“Me shpresën dhe bindjen e fortë për drejtësi, mbrëmë na zbardhi mëngjesi në shesh. Por sot, u përballëm me një goditje të rëndë. Vargut të gjatë të dhimbjeve e padrejtësive që na kanë përcjellë ndër breza iu shtua edhe vendimi i sotëm i gjykatës”, ka shkruar Haziri.

Ai ka deklaruar se nuk do të dorëzohen dhe se do të vazhdojnë të kërkojnë, siç ka thënë ai, lirimin e ish-krerëve të UÇK-së.

“Dorëzimi nuk ka qenë kurrë opsion për ne. Kurrë. As në kohët më të stuhishme e as në etapat më të errëta. Ata që presin të na shohin të thyer apo të heshtur përballë kësaj thike, gabohen rëndë. Ne nuk do të heshtim!”, ka shkruar ai.

Haziri u ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkohen dhe të marrin pjesë në tubimin e paralajmëruar për sonte.

“Prandaj, ju bëj thirrje të gjithëve: le të bëhemi bashkë sot, në ditët dhe në javët në vazhdim. T’u tregojmë se kush është populli: NE apo ata prokurorë e gjykatës me prova të fabrikuara”, ka deklaruar ai.

Tubimi është paralajmëruar të mbahet sonte, më 16 shtator, në orën 21:00, në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë./Telegrafi/