Kongresi amerikan mbyll punimet para kohës, shtyhet votimi për shkarkimin e Sekretarit të Luftës

Bota

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Mike Johnson, njoftoi se Kongresi amerikan do t’i përfundojë punimet më herët, duke i dërguar ligjvënësit në distriktet e tyre për një pushim shtatëjavor para zgjedhjeve të muajit nëntor. Dhoma e Përfaqësuesve pritej të vazhdonte punën deri të enjten, por ligjvënësit do të zhvillojnë të mërkurën votimet e […]

Madhësia e shkronjave

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Mike Johnson, njoftoi se Kongresi amerikan do t’i përfundojë punimet më herët, duke i dërguar ligjvënësit në distriktet e tyre për një pushim shtatëjavor para zgjedhjeve të muajit nëntor.

Dhoma e Përfaqësuesve pritej të vazhdonte punën deri të enjten, por ligjvënësit do të zhvillojnë të mërkurën votimet e fundit para ndërprerjes së punimeve. Kongresi pritet të rikthehet në Uashington vetëm pas zgjedhjeve të nëntorit.

Vendimi ka bërë që të shtyhet edhe shqyrtimi i një nisme për shkarkimin e Sekretarit amerikan të Luftës, Pete Hegseth.

Rezoluta për shkarkimin e Hegseth është paraqitur nga republikani Thomas Massie, i cili e akuzon sekretarin për keqpërdorim të autoritetit gjatë drejtimit të operacioneve ushtarake amerikane, shkruan cnn.

Massie e akuzon Hegseth për zbatim të urdhrave të paligjshëm dhe për vazhdimin e dislokimit të trupave amerikane pa autorizimin e Kongresit. Rezoluta përfshin gjithashtu pretendime lidhur me operacionet ushtarake amerikane në Iran, Venezuelë dhe Jemen.

Meqë Massie e paraqiti rezolutën si një nismë të privilegjuar, Dhoma e Përfaqësuesve do të duhej ta shqyrtonte brenda dy ditësh pune. Megjithatë, ndërprerja e hershme e punimeve e shtyn këtë proces deri pas kthimit të ligjvënësve në nëntor.

Johnson e ka cilësuar nismën e Massiet si një “shfaqje publicitare” dhe ka thënë se rezoluta do të rrëzohet. Ai ka argumentuar se çështja nuk duhet të përdoret për “lojëra me sigurinë kombëtare”.

Nga ana tjetër, Prokurori i Përgjithshëm amerikan, Todd Blanche, ka mbrojtur Hegseth, duke deklaruar se sekretari po i kryen detyrat e tij në përputhje me ligjin dhe se Departamenti i Drejtësisë po mbikëqyr respektimin e kërkesave ligjore.

Sipas raportimeve, votimi për rezolutën e shkarkimit të Hegseth pritet të zhvillohet jo më herët se në nëntor, pas rikthimit të Dhomës së Përfaqësuesve nga pushimi. /Telegrafi/