Trupi Gjykues ka deklaruar se Fatmir Limaj, Sabit Geci, Rrustem Mustafa dhe Latif Gashi ishin “zbatues të zellshëm” të një qëllimi kriminal që sipas gjykatës kishte në shënjestër kundërshtarët e UÇK-së.
Sipas konstatimeve të Trupit Gjykues, plani përfshinte ngritjen e objekteve të ndalimit në zonat e kontrolluara nga UÇK-ja, identifikimin e personave që konsideroheshin kundërshtarë të saj, arrestimin dhe ndalimin e tyre dhe, kur ishte e nevojshme, vrasjen e tyre.

“Plani ishte i thjeshtë dhe i dëshmueshëm”, ka deklaruar Trupi Gjykues.
Gjykata ka konstatuar gjithashtu se asnjëri nga të akuzuarit përfshirë: Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin nuk ndërmorën hapa për ndërprerjen apo tërheqjen nga ky plan.
Përkundrazi, sipas gjykatës, ata së bashku dhanë kontribut, inkurajuan dhe mundësuan zbatimin e tij.
“Plani ishte i tyre dhe ata i qëndruan besnik derisa nuk patën nevojë më”, u tha në gjykatë.
Sipas Trupit Gjykues, krimet e konstatuara ishin pasojë e një plani kriminal, i cili u realizua nga të akuzuarit personalisht dhe përmes personave të tjerë. /Telegrafi/





