“UÇK-ja nuk ishte ndërmarrje kriminale” – OVL e UÇK-së reagon ashpër pas dënimeve

Nacionale

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL e UÇK-së) ka reaguar pas shpalljes së aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, duke e kundërshtuar kategorikisht vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë. Në reagimin e saj, OVL e UÇK-së thotë se aktgjykimi “godet luftën e drejtë çlirimtare të UÇK-së” dhe, sipas […]

Madhësia e shkronjave

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL e UÇK-së) ka reaguar pas shpalljes së aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, duke e kundërshtuar kategorikisht vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë.

Në reagimin e saj, OVL e UÇK-së thotë se aktgjykimi “godet luftën e drejtë çlirimtare të UÇK-së” dhe, sipas organizatës, lëndon familjet që dhanë bijtë dhe bijat e tyre për lirinë e Kosovës.

“UÇK-ja nuk ishte kurrë ndërmarrje kriminale. Ishte rezistenca e organizuar e një populli përballë pushtimit, dëbimit dhe masakrës”, thuhet në reagimin e OVL-së.

Organizata thekson se sakrifica e UÇK-së, sipas saj, ishte pjesë e rrugës që çoi në shtetësinë, sovranitetin, sigurinë dhe integritetin territorial të Kosovës.

OVL e UÇK-së shprehet se asnjë vendim gjyqësor nuk mund ta rishkruajë historinë e luftës çlirimtare, duke shtuar se lufta dhe sakrifica e atyre që luftuan për lirinë e Kosovës mbeten pjesë e historisë së vendit.

Në reagim, OVL e UÇK-së përsërit edhe qëndrimin e saj të mëhershëm se Gjykata Speciale dhe procesi në Hagë kanë qenë politikë. Organizata e cilëson aktgjykimin si “turp për drejtësinë ndërkombëtare” dhe thotë se ai do të mbetet si një njollë në mënyrën se si, sipas saj, është trajtuar lufta e UÇK-së dhe sakrifica e popullit të Kosovës. /Telegrafi/