Shikueshmëria e ceremonisë së 78-të të çmimeve Emmy ka rënë me gati 10 për qind krahasuar me vitin e kaluar, duke rikthyer tendencën e rënies së audiencës pas disa vitesh rritjeje.
Sipas të dhënave të publikuara nga rrjeti televiziv NBC, rreth 6.7 milionë shikues ndoqën ceremoninë e këtij viti.
Vëmendjen kryesore gjatë mbrëmjes e tërhoqi seriali “Widow’s Bay” i Apple TV, i cili fitoi një rekord prej 14 çmimesh Emmy në kategorinë e komedisë.
Ndërkohë, seriali “The Pitt” u shpall për të dytin vit radhazi seriali më i mirë dramatik.

Ceremonia u drejtua nga aktorja Mariska Hargitay, e njohur për rolin e saj në serialin “Law & Order: Special Victims Unit”.
Rënia e shikueshmërisë u vu re edhe në krahasim me vitet e fundit.
Ceremoninë e vitit 2024, të transmetuar nga ABC, e ndoqën rreth 6.87 milionë shikues, gjersa transmetimi i vitit të kaluar në CBS arriti në 7.42 milionë.
Megjithatë, shifra e këtij viti është dukshëm më e lartë se rekordi negativ prej 4.3 milionë shikuesish, i regjistruar në ceremoninë e transmetuar nga Fox në janar të vitit 2024.
Ajo ceremoni ishte shtyrë për disa muaj për shkak të grevave të skenaristëve dhe aktorëve në Hollywood.
Një nga faktorët që ndikoi në audiencën e këtij viti ishte konkurrenca e fortë nga futbolli amerikan.
Ceremonia u transmetua në të njëjtën kohë me ndeshjen e parë të sezonit të “Monday Night Football” mes Kansas City Chiefs dhe Denver Broncos.
Ceremonia e Emmy Awards zhvillohet çdo vit në një prej katër rrjeteve të mëdha televizive amerikane.
Kur transmetohet nga NBC, zakonisht zhvendoset nga e diela në të hënën, në mënyrë që rrjeti të mund të transmetojë futbollin e së dielës.
Kjo, megjithatë, e vendos ceremoninë përballë një prej programeve sportive më të ndjekura në Shtetet e Bashkuara.
Përveç konkurrencës sportive, Emmy Awards po përballen prej vitesh edhe me ndryshimet e mëdha në mënyrën se si publiku ndjek përmbajtjet televizive. /Telegrafi/





