Filmi DUA jepet premierë në Prishtinë: Çfarë fshihet pas emrit dhe historisë së tij?

Magazina

Filmi “DUA”, me regji të Blerta Bashollit, është shfaqur sonte premierë në kinemanë “Cineplexx Kosova” në Prishtinë, në një mbrëmje ku u mblodhën ekipi realizues, aktorët dhe të ftuar të shumtë. Në premierë ishte edhe Telegrafi, i cili zhvilloi intervista me regjisoren Blerta Basholli, aktorët e filmit dhe personalitete të tjera të pranishme në këtë […]

Madhësia e shkronjave

Filmi “DUA”, me regji të Blerta Bashollit, është shfaqur sonte premierë në kinemanë “Cineplexx Kosova” në Prishtinë, në një mbrëmje ku u mblodhën ekipi realizues, aktorët dhe të ftuar të shumtë.

Në premierë ishte edhe Telegrafi, i cili zhvilloi intervista me regjisoren Blerta Basholli, aktorët e filmit dhe personalitete të tjera të pranishme në këtë ngjarje.

Filmi sjell historinë e Duas, një vajze 13-vjeçare në Prishtinën e fundit të viteve ’90, e cila përballet me presionin për t’u rritur para kohe, në një periudhë kur tensionet në Kosovë po përshkallëzoheshin.

Ndërsa dhuna afrohet dhe familja e saj përballet me vështirësi, një shoqe e guximshme e frymëzon Duan të gjejë forcën dhe kurajën për të ndjekur rrugën e saj drejt sigurisë.

Për regjisoren Blerta Basholli, premiera përpara publikut kosovar është një moment i veçantë, pas një pune të gjatë në realizimin e filmit.

“Po, ndjenja është shumë e mirë se kena punuar shumë gjatë, më së pari në skenar, mandej edhe në përgatitje. Ata që e kanë pa filmin e shohin gjithë atë punë që është dashur të bëhet për t’u realizuar. Kështu që me thënë sonte, këtu është kënaqësi. Jemi bashkë me ekipin, jemi me shikues të Kosovës. Mezi po presim me i pa reagimet e tyre”, tha Basholli për Telegrafin.

Regjisorja foli edhe për titullin e filmit, duke sqaruar se emri “DUA” nuk ka lidhje me këngëtaren me famë botërore Dua Lipa dhe as me vetë regjisoren.

“Pse Dua? S’ka lidhje as me Dua Lipën, as me mua. Kemi pasur qejf me ia lënë një emër shqip dhe kam dashtë me qenë emri i karakterit, emri i filmit”, shpjegoi ajo.

Basholli tregoi se emri i është përshtatur edhe karakterit kryesor dhe kuptimit që mbart fjala “dua”.

“Dua, më pëlqen se ka të bëjë me dashtë dhe më ka duk shumë emër i mirë, sepse edhe karakteri i përshtatet. Ajo tërë kohën don diçka, don me ngu muzikë, don me dalë me një djalë, don me hy me një grup në shoqni. Kështu i përshtatet edhe dëshirave të karakterit”, tha ajo.

Në film luajnë edhe motrat Kaona dhe Pinea Sylejmani, ndërsa Kaona, e cila është pjesë e kastit, foli për eksperiencën e parë të përbashkët të tyre në një produksion filmik.

“Është filmi i parë ku punojnë bashkë. Normal, për të dyjat është eksperiencë e veçantë dhe shumë e mirë. Është filmi i parë, po besoj që ka me pasë shumë punë tjera”, tha Kaona Sylejmani.

Kaona dhe Pinea Sylejmani (Foto: Telegrafi)

Ajo shtoi se puna me ekipin e “DUA”-s ka qenë një përvojë veçanërisht e mirë dhe ftoi publikun që ta shohë filmin.

“Besoj që ky është një prej filmave më të arritur që i kemi bo. Si vend kemi shumë filma të mirë, po unë vetë si aktore, e besoj edhe Pinea, jam ndjerë shumë më rehat edhe ma mirë bashkë me këtë film. Kështu që besoj që ka me ju pëlqy shumë. Filmi ka me fol vetë. Ju ftoj krejt me ardhë me pa. Keni me u nda shumë të kënaqur”, u shpreh ajo.

Në premierë ishte edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili foli për mbështetjen që kryeqyteti i ka dhënë produksionit.

“I kemi ndihmu shumë këtij filmi dhe jam krenar faktikisht për krejt çka kryeqyteti ka bo për filmin ‘DUA’. Uroj që ta fitojë edhe ‘Oscar’-in, sepse kam dëgju që është i mrekullueshëm dhe mezi po pres me e pa tash”, tha Rama për Telegrafin.

Ai theksoi rëndësinë e tregimeve që lidhen me historinë e Kosovës dhe mundësinë që përmes kinematografisë ato të përcillen te publiku ndërkombëtar.

“Çdokush duhet me e ditë historinë tonë dhe sa më shumë që e dimë, aq më shumë edhe e vërejmë nëpër çfarë kemi kaluar ne si popull. Aq më shumë e di edhe bota nëpër çfarë ka kalu kryeqyteti e gjithë Kosova. Liria, të cilën tash e gëzojmë, është fitu me mund të madh, procese shumë të vështira, me gjak. Kjo është ajo çka duhet me ndodhë shumë më shumë. Kemi tregime të shumta që mund t’ia tregojmë botës, e ‘DUA’ është njëra prej tyre”, u shpreh ai.

Pjesë e kastit është edhe aktorja Adriana Matoshi, e cila në film luan rolin e nënës së Kaona dhe Pinea Sylejmanit. Për të, përvoja ka qenë e veçantë edhe në aspektin personal, duke qenë se vajzat e saj janë pjesë e filmit.

“Eksperiencë e jashtëzakonshme, ndjenjë e papërshkrueshme, krenari shumë e madhe. Uroj për krejt prindërit, se ka shumë fëmijë që kanë luajtur në këtë film. Uroj krejt prindërit me pasë atë ndjesi që e kam pasë unë”, tha Matoshi për Telegrafin.

Ajo e vlerësoi talentin e vajzës së saj, Pinea Sylejmani, duke theksuar se përfshirja e saj në film nuk ishte rezultat i ndonjë shtytjeje nga ana e saj.

“Pinea është një talent i lindur. Nuk e kam shty unë me i hi kësaj pune. Si krejt fëmijët tjerë, ka qenë në audicion, ka rastis si figurë me i pëlqy regjisores dhe e ka marrë. Mandej e kemi pasë shumë vështirë për me e bindë me ardhë me lujt në këtë film, po e ka bindë regjisorja”, tregoi Matoshi.

Në fund, ajo ia atribuoi meritën kryesore regjisores për mënyrën se si është realizuar performanca e vajzës së saj.

“Çka shihni sonte në film? Çkado që e shihni Pinean. Nuk është meritë e imja, është meritë e regjisores, Blerta Basholli, që e falënderoj jashtëzakonisht shumë”, përfundoi Matoshi.

“DUA” rikthen në ekran një kapitull të ndjeshëm të historisë së Kosovës përmes perspektivës së një vajze të re, duke ndërthurur historinë e saj personale me realitetin e një shoqërie që po përballej me tensione dhe dhunë në fund të viteve ’90.

Pas premierës në Prishtinë, filmi pritet të jetë pjesë e rrugëtimit të tij përpara publikut vendor dhe ndërkombëtar. /Telegrafi/