Policia holandeze ka shtuar masat e sigurisë pranë ndërtesës së Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, para shpalljes së vendimit të shkallës së parë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ekipi i Telegrafit që po qëndron në Hagë ka raportuar se pjesëtarë të policisë holandeze janë parë të stacionuar para ndërtesës së Speciales, ndërsa u kanë kërkuar qytetarëve që ishin mbledhur aty të mos qëndrojnë gjatë.
Një nga zyrtarët policorë u ka thënë të pranishmëve se ka marrë urdhër nga komandanti i tij që askush të mos qëndrojë më shumë se dy minuta para ndërtesës së Tribunalit.

E në prag të vendimit, gazetarëve që do ta përcjellin nga brenda seancën gjyqësore, u është dërguar edhe një email informues nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, ku bëhet e ditur se autoritetet holandeze do të jenë të pranishme jashtë ndërtesës për shkak të mobilizimit të paralajmëruar të një numri të madh njerëzish.
“Sikurse mund ta dini, në media është raportuar se është bërë thirrje për mobilizimin e një numri të madh njerëzish për të udhëtuar për në Hagë më 15 dhe 16 shtator 2026. Ju informojmë se policia holandeze do të jetë e pranishme jashtë ndërtesës”, thuhet në email.
Seanca për shpalljen e aktgjykimit të shkallës së parë do të mbahet nesër, më 16 shtator, duke filluar nga ora 10:00.
Trupi gjykues pritet të shpallë verdiktin ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, ish-deputetit Rexhep Selimi dhe ish-kryeparlamentarit, Jakup Krasniqi.
Vendimi vjen pas një procesi të gjatë gjyqësor në Hagë, ndërsa në Kosovë dhe në mesin e mbështetësve të UÇK-së pritja për verdiktin është shoqëruar me interesim të madh.
Edili mbështet këtë mbulim special nga Haga. /Telegrafi/





