Bebe Rexha flet për vizitat e shpeshta që bënte në Maqedoni gjatë fëmijërisë: Dasmat shqiptare zgjasnin deri në 3 të mëngjesit

Magazina

Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Bebe Rexha, ka folur së fundmi për kujtimet e saj të fëmijërisë dhe mënyrën se si kultura ballkanike ka ndikuar në identitetin e saj artistik. Në një intervistë të fundit për “Flaunt Magazine”, artistja ka kujtuar vizitat e saj në Maqedoni gjatë fëmijërisë, ku ka marrë pjesë në shumë dasma […]

Madhësia e shkronjave

Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Bebe Rexha, ka folur së fundmi për kujtimet e saj të fëmijërisë dhe mënyrën se si kultura ballkanike ka ndikuar në identitetin e saj artistik.

Në një intervistë të fundit për “Flaunt Magazine”, artistja ka kujtuar vizitat e saj në Maqedoni gjatë fëmijërisë, ku ka marrë pjesë në shumë dasma shqiptare e ballkanike.

Rexha ka treguar se gjatë një viti mund të merrte pjesë edhe në shtatë dasma, të cilat shpesh zgjasnin për disa ditë dhe vazhdonin deri në orët e para të mëngjesit.

Por, ajo që i ka mbetur më së shumti në kujtesë është muzika që shoqëronte këto festime.

“Në kulturën tonë, gjithçka ka të bëjë me muzikën. Ne gjithmonë kërcejmë dhe festojmë”, ka thënë Bebe.

Sipas këngëtares, pikërisht kjo frymë e festës, bashkimit, kërcimit dhe muzikës është një prej elementeve që ndihet edhe në albumin e saj të ri, “Dirty Blonde”.

Albumi shënon një kapitull të ri në karrierën e Rexhës, e cila po vazhdon të eksperimentojë dhe të eksplorojë anë të reja të identitetit të saj muzikor.

Ndërkohë, artistja po kalon një periudhë mjaft të ngarkuar në karrierë. Së fundmi ajo është shfaqur si e ftuar në rezidencën e David Guettas në Ibiza, ku performoi këngën “Sad Girls”, ndërsa vetëm pak ditë më herët kishte performuar në Marok.

Axhenda e saj përfshin gjithashtu performanca në festivale të ndryshme në Evropë, përfshirë “Tomorrowland”, si dhe paraqitje të tjera muzikore, përveç angazhimeve të shumta me prova, fotosesione dhe intervista.

Edhe kur ka mundësi të pushojë, Rexha thotë se muzika mbetet pjesë e pandashme e përditshmërisë së saj. Ajo ka treguar se dita e saj ideale e pushimit do të përfshinte zgjimin pranë qenit të saj Bear, disa kafe të ftohta ose një matcha, një shëtitje dhe më pas rikthimin në studio.

“E dua vërtet, vërtet shumë”, ka rrëfyer ajo për pasionin e saj ndaj muzikës.

Rexha ka pranuar se një prej gjërave me të cilat vazhdon të përballet është gjetja e një ekuilibri mes jetës personale dhe karrierës, por thekson se puna që bën i sjell shumë kënaqësi.

“Unë mund të gjej kaq shumë gëzim në atë që bëj. Nuk mund ta shihja kurrë veten duke bërë diçka tjetër. Është qëllimi im”, është shprehur këngëtarja.

Me “Dirty Blonde”, Bebe Rexha duket se po hap një kapitull të ri artistik, duke mbajtur njëkohësisht të gjallë edhe lidhjen me kujtimet dhe kulturën që kanë shoqëruar atë që nga fëmijëria. /Telegrafi/