“Kemi një Lupin të ri”, janë fjalët me të cilat fillon traileri për sezonin e katërt të serialit të njohur të Netflix “Lupin”, premiera e të cilit është planifikuar të dalë më 23 tetor.
Ndërsa personazhi kryesor është i bllokuar në kafaze qelqi, duket se një tjetër mjeshtër i mashtrimit është i lirë dhe policia është tashmë në gjurmët e tij. Gjatë trailer-it, shikuesit mund ta shohin Assanen duke vazhduar si zakonisht: duke ndërruar maska, duke marrë identitete të ndryshme dhe duke mbjellë konfuzion të plotë midis atyre që përpiqen ta kapin.

Sezoni i katërt fillon katër vjet pas përfundimit të sezonit të mëparshëm. Assane dëshiron të vuajë dënimin e tij dhe të përmbushë një premtim që i bëri të birit – të udhëtojë për në Senegal dhe t’i bashkohet pjesës tjetër të familjes së tij. Megjithatë, planet e tij ndërpriten papritur nga një njoftim misterioz i nënshkruar nga vetë Lupin, i cili njofton grabitje të njëkohshme të disa muzeve.
Aktori Omar Sy po rikthehet në rolin e tij që e shndërroi “Lupin” në një nga serialet më të shikuara në gjuhë të huaj në historinë e Netflix, si dhe një nga hitet më të mëdha të platformës në përgjithësi.
Përveç Omar Sy, kasti i sezonit të katërt përfshin Ludivine Sagnier, Antoine Gouy, Soufiane Guerrab, Shirine Boutella, Theo Christine dhe Laïka Blanc-Francard. Seriali është shkruar nga George Kay, në bashkëpunim me Francois Uzan dhe me pjesëmarrjen e Marie Roussin, Florent Meyer dhe Tigran Rosine.
Episodet e reja drejtohen nga Edouard Salier, Everardo Gout dhe Hugo Gelin, prodhohen nga Gaumont dhe mbështeten nga Carrousel Studios, ndërsa Mathilde Arnaud, Jean-Yves Arnaud, Rosine dhe Meyer janë përgjegjëse për skenarin.
Si kujtesë, seriali “Lupin” u frymëzua nga personazhi dhe veprat rreth hajdutit të famshëm Arsene Lupin, të krijuara nga shkrimtari francez Maurice Leblanc. /Telegrafi/





