NATO ka konfirmuar se dy aeroplanë luftarakë italianë Eurofighter u ngritën në alarm dhe rrëzuan një dron që kishte hyrë në hapësirën ajrore të Lituanisë, ndërsa hetimet për incidentin janë ende në zhvillim.
Komanda Ajrore e NATO-s bëri të ditur se ndërhyrja ndaj dronit u krye mbrëmjen e kaluar, pas aktivizimit të dy aeroplanëve italianë Eurofighter.

Operacioni u koordinua përmes Qendrës së Përbashkët të Operacioneve Ajrore të NATO-s në Uedem të Gjermanisë, e cila koordinon aktivitetet e mbrojtjes ajrore të aleancës në rajon.
NATO nuk ka dhënë ende detaje të plota mbi origjinën e dronit apo qëllimin e tij, transmeton Telegrafi.
Në një përditësim zyrtar, Komanda Ajrore e NATO-s deklaroi se “hetimet janë në vazhdim së bashku me autoritetet kombëtare”.
Incidenti ka tërhequr vëmendje të veçantë për shkak se droni kishte hyrë në hapësirën ajrore të një vendi anëtar të NATO-s, ndërsa rajoni baltik mbetet një nga zonat më të ndjeshme të krahut lindor të aleancës. /Telegrafi/





