Një patrullim rutinë mbi Detin Baltik u shndërrua në një incident të rrezikshëm, pasi një anije luftarake ruse qëlloi me raketa sinjalizuese drejt një helikopteri ushtarak danez.
Kopenhaga e cilësoi veprimin si “të pamatur” dhe thirri ambasadorin rus për sqarime, transmeton Telegrafi.
Forcat e Armatosura daneze njoftuan se një helikopter Fennec i Forcave Ajrore u vu në shënjestër të raketave sinjalizuese gjatë një operacioni rutinë fotografik ndaj një fregate ruse, e cila ndodhej në ujërat ndërkombëtare në Detin Baltik, pranë Gedserit.
Sipas autoriteteve daneze, fregata ruse lëshoi dy raketa sinjalizuese në drejtim të helikopterit, ndërsa njëri prej tyre kaloi në distancë shumë të afërt me mjetin ajror.
Incidenti nuk shkaktoi viktima apo dëme, por Kopenhaga reagoi ashpër ndaj veprimit të anijes ruse.
Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, e dënoi incidentin, duke e cilësuar si një veprim “të pamatur” ndaj ushtrisë daneze.
“Veprim i pamatur nga Rusia ndaj ushtrisë daneze gjatë një fluturimi rutinë dje. Veprimet e Rusisë synojnë të frikësojnë dhe të përçajnë. Ata nuk do t’ia dalin. Ne nuk do të lëkundemi”, deklaroi Frederiksen.
Ministri i Jashtëm danez, Lars Løkke Rasmussen, e cilësoi incidentin “krejtësisht të papranueshëm”.
Për këtë arsye, Ministria e Jashtme daneze njoftoi se ambasadori rus është thirrur për një takim, ku pritet të kërkohen shpjegime lidhur me incidentin.
Incidenti vjen në një periudhë kur janë shtuar përplasjet dhe kontaktet e rrezikshme mes forcave ruse dhe vendeve anëtare të NATO-s në rajonin e Detit Baltik. /Telegrafi/






