Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka folur për tërheqjen e kandidaturës së profesor Bekim Sejdiut nga posti i presidentit.
Nagavci tha se është për të ardhur keq që personalitete të shquara, të cilat mund të japin kontribut për vendin, u pamundësohet një gjë e tillë për shkak të inateve partiake apo të grupeve të ngushta.

“Sa i përket çështjeve të tjera, si Lëvizje në raport me dorëheqjen e profesor Bekim Sejdiut prej postit kemi pasur një deklaratë publike, një qëndrim e dini. Është vërtet për të ardhur keq që personalitete të shquara të cilët janë në gjendje të japin kontributin e tyre për vendin, t’u pamundësohet një gjë e tillë përtej inateve kryesisht partiake apo të grupeve të ngushta të individëve. Si Lëvizje, natyrisht se jemi tejet të interesuar që sa më parë të kemi edhe pozitën e presidentit me një president/presidente që do të kryejë këtë detyrë dhe natyrisht çfarë është në mandatin tonë do të vazhdojmë ta bëjmë”, tha Nagavci.
Ndërsa, lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe lëndët e dërguara në këtë institucion, Nagavci tha se një situatë e tillë po e çon vendin nga një bllokadë në tjetrën.
“Besoj që kjo është një hap tjetër për të na dërguar prej një bllokade në një bllokadë. Është e qartë që Kuvendi do të duhet të konstituohej sa më parë që ishte e mundur, e po ashtu edhe votimi i qeverisë. Ndërkohë që kemi një qëndrim të një partie e cila, siç jemi dëshmitarë të gjithë, çdo ditë insistonte se duhet të konstituohet Kuvendi, dhe në momentin kur kjo u arrit, e gjetën një vegëz për të bllokuar edhe një herë vendin. Nuk mendoj që kjo është në interes të vendit dhe kjo qasje është e gabuar”, tha ajo.
Ndërsa kryeministri Albin Kurti nuk është përgjigjur rreth tërheqjes së Bekim Sejdiut nga kandidatura për president.
Në pyetjen se si do të veprojnë pas tërheqjes së Sejdiut, Kurti ka thënë se aty janë për raportin e MICS 2025.
“Jemi për raportin e MICS 2025”, ka thënë shkurt ai. /kp/





