Mbetjet e një droni të rrëzuar nga një aeroplan luftarak i NATO-s janë fotografuar mëngjesin e sotëm në Lituani, ndërsa policia ushtarake dhe ekipet e reagimit kanë punuar pranë vendit ku u rrëzua mjeti ajror.
Pamjet tregojnë forcat e sigurisë dhe automjetet e reagimit duke vepruar pranë zonës ku u gjetën mbetjet e dronit, transmeton Telegrafi.
Sipas raportimeve, aeroplanët luftarakë të NATO-s u ngritën dje në alarm për të ndërhyrë ndaj një droni që kishte hyrë në hapësirën ajrore të Lituanisë.
Droni besohet se hyri në territorin lituanez nga drejtimi i Bjellorusisë dhe më pas u rrëzua pranë Kaunasit, qytetit të dytë më të madh të Lituanisë.
Incidenti vjen në një periudhë të tensionuar për krahun lindor të NATO-s, ku janë shtuar incidentet me dronë dhe shkeljet e hapësirës ajrore në vendet baltike. /Telegrafi/






