Është mbyllur java e gjashtë e Superligës së Kosovës, ku nuk munguan ndeshjet me shumë gola, por edhe ato që përfunduan pa gola.
Prishtina vazhdoi serinë e fitoreve, duke mposhtur Feronikelin ’74 me rezultat 3-0, ndërsa Malisheva ishte bindëse në udhëtim, duke triumfuar 4-0 ndaj Llapit.
Fitore me rezultat 3-0 regjistroi edhe Drenica, e cila mposhti Vushtrrinë. Ndërkohë, derbi mes Dritës dhe Gjilanit përfundoi pa gola, 0-0, me të njëjtin rezultat që u mbyll edhe përballja mes Ballkanit dhe Dukagjinit.
Telegrafi vjen me formacionin 3-4-3 për ndeshjet e javës së gjashtë.
Në portë është Arijon Ymeri i Drenicës, i cili zhvilloi një paraqitje shumë të mirë dhe e mbajti skuadrën e tij në epërsi në momentet kur Vushtrria kërkonte të rikthehej në lojë. Edhe pas golit të dytë, Ymeri realizoi disa pritje të mëdha, duke mos lejuar që ndeshja të hapej.
Në mbrojtje vendin e parë e merr Hajdin Salihi i Dritës, i cili, pavarësisht se mori karton të verdhë që në fillim të ndeshjes, ishte pothuajse perfekt në detyrat e tij.
Përkrah tij është Egzon Sinani i Dukagjinit, që pati një paraqitje bravuroze dhe ndërpreu pothuajse çdo aksion të rrezikshëm të kundërshtarit.
Treshen e prapavijës e plotëson Anio Poci i Prishtinës, i cili po e gjen veten gjithnjë e më shumë dhe po zhvillon ndeshje të mëdha javë pas jave. Edhe ndaj Feronikelit ’74 ishte pothuajse perfekt në prapavijë.
Mesfusha përbëhet nga Altin Vojvoda i Drenicës, i cili po zhvillon një sezon pozitiv. Në përballjen ndaj Vushtrrisë shënoi golin e parë dhe ishte vazhdimisht rrezik për portën vushtrriase.
Lorik Boshnjaku i Gjilanit ishte guri i skuadrës së tij në derbin ndaj Dritës, duke fituar pothuajse çdo duel dhe duke ndihmuar ekipin të dilte përpara.
Përkrah tij është Arijanit Fazlija i Prishtinës, i cili shkëlqeu ndaj Feronikelit ’74, duke shënuar dhe asistuar. Ai po tregon formë të shkëlqyer në këtë fillim sezoni.
Në krahun e majtë është Omer Bajraktari i Malishevës, i cili ishte i pandalshëm në krah, depërtues dhe udhëheqës i aksioneve. Pothuajse çdo aksion i rrezikshëm i Malishevës ndaj Llapit kaloi nga krahu i tij në “Zahir Pajaziti”.
Në sulm është Xhemajl Ibishi i Malishevës, i cili shënoi dhe asistoi, duke qenë një enigmë e pazgjidhur për mbrojtjen llapjane.
Në qendër të sulmit është Donat Mehmeti i Drenicës, i cili zhvilloi një ndeshje të fortë ndaj Vushtrrisë. Kur rezultati ishte ende i ngushtë, Mehmeti e shpiku vetë një gol, duke i vjedhur topin kundërshtarit dhe më pas duke mposhtur portierin.
Treshen e sulmit e kompleton Assane Diatta i Prishtinës, njeriu i momentit te skuadra kryeqytetase. Ai shënoi dy gola ndaj Feronikelit ’74 dhe vazhdon të jetë një nga lojtarët më në formë në këtë fillim sezoni.
Trajneri i javës është Orges Shehi i Prishtinës, i cili e ka udhëhequr skuadrën drejt fitores së pestë në pesë ndeshje. Prishtina ishte në nivel të lartë ndaj Feronikelit ’74, ndërsa edhe zëvendësimet e Shehit po rezultojnë të qëlluara.
Rotacioni nuk po vërehet në performancën e skuadrës, e cila po krijon shumë raste dhe këtë sezon po tregohet edhe më efikase para portës. /Telegrafi/






