Ka dështuar të mbahet seanca fillestare ndaj 53 të akuzuarve për masakrën e Mejës dhe fshatrave të tjera të Gjakovës, ku në vitin 1999 u vranë 370 civilë, në mungesë të avokatëve mbrojtës.
Gjyqtarja e rastit, Violeta Nimanaj-Hajra, në këto kushte tha se seanca shtyhet për datën 25 shtator 2026.
Në nisje të seancës, gjyqtarja Violeta Nimanaj-Hajra konstatoi mungesën e tre avokatëve mbrojtës. Valon Hasani nuk ishte i pranishëm, ndërsa Uresa Restelica nuk kishte pranuar ende ftesën dhe Laur Prenaj mungoi për shkaqe shëndetësore.

Fillimisht, seanca u ndërpre për dhjetë minuta me qëllim të pritjes së avokatëve që mungonin, mirëpo ata nuk u paraqitën.
Pas kësaj, gjyqtarja Nimanaj-Hajra deklaroi se nuk ekzistojnë kushtet për vazhdimin e seancës.
“Në këto rrethana nuk kemi kushte të vazhdojmë. Do të koordinohemi për një datë tjetër. Mendoj se kjo seancë të mbahet javën e ardhshme, më 25 shtator, në orën 08:30”, tha gjyqtarja.
Në sallën e gjyqit nuk ishte i pranishëm asnjëri nga 53 të akuzuarit, sikurse edhe në seancën e 16 qershorit. Gjykimi ndaj tyre zhvillohet në mungesë, ndërsa të akuzuarit përfaqësohen nga avokatët e tyre.
Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte caktuar 15 shtatorin për mbajtjen e seancës fillestare, pas vendimit të Gjykatës së Apelit të 25 majit 2026, e cila e kishte kthyer në rivendosje vendimin e Themelores për konfirmimin e aktakuzës së Prokurorisë Speciale.
Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë në dhjetor të vitit 2023 ndaj 53 personave për masakrën e Mejës, ndërsa aktakuza ishte ndryshuar më 23 dhjetor 2024. Të gjithë të akuzuarit, deri tani, gjenden në arrati.
Ndryshe, në seancën e 16 qershorit, prokurori Ilir Morina kishte lexuar aktakuzën, ndërsa gjyqtarja Violeta Nimanaj-Hajra kishte konstatuar se janë bërë përpjekje për sigurimin e të akuzuarve dhe kishte vendosur që gjykimi të zhvillohej në mungesë. /KP/





