Barcelona po punon për një kontratë të re për Raphinhan, e cila pritet ta vendosë brazilianin në mesin e futbollistëve më të paguar të klubit.
Raphinha është kthyer në një prej figurave kryesore të Barcelonës dhe klubi katalanas dëshiron ta shpërblejë paraqitjet e tij me një marrëveshje të re.
Sipas raportimeve të fundit, drejtuesit e klubit po punojnë për rinovimin e kontratës së sulmuesit brazilian, me synimin që ai të qëndrojë në ‘Camp Nou’ deri në vitin 2029.
Marrëveshja e re parashikohet t’i sjellë Raphinhas rreth 27 milionë euro në sezon, shifër që do ta vendoste atë në nivelin e futbollistëve më të paguar në skuadër.

Braziliani ka nisur në mënyrë spektakolare sezonin e ri. Në pesë ndeshje të zhvilluara deri tani, Raphinha ka shënuar tetë gola dhe ka dhënë një asistim, duke konfirmuar edhe një herë rëndësinë e tij në skemën e trajnerit Hansi Flick.
Roli i tij në skuadër është rritur edhe më tej pas vendimit për t’i besuar shiritin e kapitenit.
Raphinha është tashmë një prej liderëve të dhomës së zhveshjes dhe, sipas raportimeve të El Nacional, ka marrë rol edhe në mbështetjen e bashkëlojtarëve që po kalojnë periudha më të vështira.
Një prej tyre është Alejandro Balde, i cili deri tani nuk ka luajtur asnjë minutë këtë sezon dhe ka humbur terren në hierarkinë e Flickut.
Mbrojtësi spanjoll kishte vendosur të qëndronte në Barcelonë gjatë verës për të luftuar për vendin e tij, pavarësisht interesimit nga klube të tjera.
Flick fillimisht kishte vendosur Joao Cancelon para Baldes në hierarki, ndërsa situata është komplikuar edhe më shumë pas paraqitjeve të Xavi Espart.
Ky i fundit, i cili fillimisht ishte formuar si mesfushor në akademinë e Barcelonës, është përshtatur në krahun e majtë dhe ka fituar besimin e trajnerit gjerman.
Në këtë situatë, Raphinha dhe disa prej veteranëve të skuadrës i kanë kërkuar Baldes të ruajë qetësinë dhe të vazhdojë të punojë, pasi sezoni është i gjatë dhe hierarkitë mund të ndryshojnë shumë shpejt.
Ky detaj tregon edhe ndikimin që Raphinha ka fituar brenda skuadrës. Braziliani nuk është vetëm një prej lojtarëve më produktivë të Barcelonës në fushë, por tashmë shihet edhe si një prej liderëve të grupit.
Me kontratën e re që po përgatitet, Barcelona synon ta lidhë Raphinhan me klubin deri në vitin 2029 dhe ta shpërblejë për ndikimin e tij të madh në ekip.
Forma e tij në fillim të sezonit ka forcuar edhe më shumë bindjen e drejtuesve se braziliani është një prej shtyllave kryesore të projektit të klubit për vitet e ardhshme.
Tetë gola në vetëm pesë ndeshje janë treguesi më i qartë i rëndësisë së tij, ndërsa nëse vazhdon me këtë ritëm, Raphinha pritet të mbetet një prej protagonistëve kryesorë të Barcelonës gjatë gjithë sezonit. /Telegrafi/





