Vendimi për krerët e UÇK-së, Ambasada e SHBA-së paralajmëron për protesta të mëdha në Kosovë

Nacionale

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka lëshuar një njoftim për sigurinë, duke paralajmëruar qytetarët për protesta të mëdha që pritet të zhvillohen të mërkurën, më 16 shtator në qendër të Prishtinës dhe në qytete të tjera të mëdha të Kosovës. Sipas njoftimit të Ambasadës amerikane, disa organizata kanë planifikuar demonstrata të […]

Madhësia e shkronjave

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka lëshuar një njoftim për sigurinë, duke paralajmëruar qytetarët për protesta të mëdha që pritet të zhvillohen të mërkurën, më 16 shtator në qendër të Prishtinës dhe në qytete të tjera të mëdha të Kosovës.

Sipas njoftimit të Ambasadës amerikane, disa organizata kanë planifikuar demonstrata të mëdha, të cilat mund të sjellin grumbullime të shumta të qytetarëve, mbyllje të rrugëve dhe pengesa serioze në qarkullimin rrugor.

Ambasada këshillon qytetarët që të kufizojnë lëvizjet në zonat pranë vendbanimit të tyre dhe të shmangin udhëtimet drejt zonave ku priten demonstratat.

Po ashtu, qytetarët janë paralajmëruar se në rast të kalimit nëpër zonat e prekura mund të përballen me vonesa të mëdha dhe vështirësi për të arritur në destinacion.

” Këto protesta mund të shkaktojnë turma të mëdha njerëzish, mbyllje rrugësh dhe ndërprerje të rënda të trafikut. Këshillohet të kufizoni udhëtimin në zonën e menjëhershme të banimit tuaj dhe të shmangni udhëtimin për në vendin e punës dhe shkollat nëse rruga juaj kalon nëpër zonat e prekura, pasi mund të mos jeni në gjendje ta përfundoni udhëtimin në kohën e duhur”, thuhet në njoftim.

Për personelin e Qeverisë amerikane në Kosovë është dhënë udhëzimi që të shmangë të gjitha udhëtimet e panevojshme në afërsi të protestave. Për shkak të mundësisë së ndërprerjeve të mëdha në komunikacion, personeli amerikan është këshilluar gjithashtu që më 16 shtator të mos dërgojë fëmijët në shkollë.

Ambasada amerikane ka bërë të ditur se do të jetë e hapur të mërkurën, ndërsa shërbimet konsullore do të ofrohen në mënyrë të kufizuar dhe sipas nevojës.

Paralajmërimi i Ambasadës amerikane vjen në një ditë veçanërisht të ndjeshme për Kosovën. Më 16 shtator pritet të merret në Hagë vendimi në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në këtë proces gjyqësor, në Hagë po zhvillohet procedura ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të cilët akuzohen për krime lufte.

Pritja për vendimin në këtë rast ka rritur vëmendjen dhe interesimin publik në Kosovë. Megjithatë, në njoftimin e saj, Ambasada e SHBA-së nuk e përmend në mënyrë specifike vendimin e Gjykatës Speciale si shkak të protestave. /Telegrafi/