Një ishull i vogël grek është shndërruar në një atraksion të pazakontë turistik, pasi vizitorët nga e gjithë bota po udhëtojnë atje për të notuar në ujërat e kaltra mes tufave të derrave.
Në një plazh të vogël të ishullit Atokos, në Detin Jon, turistët shijojnë ujërat e kristalta të Greqisë, por përvoja e tyre është shumë larg asaj që mund të përjetosh në një plazh të zakonshëm mesdhetar.
Në ujë dhe përgjatë bregut, ata shoqërohen nga tufa derrash të zinj, të cilët janë bërë tashmë yjet e ishullit, transmeton Telegrafi.
Atokos, një ishull privat që ndodhet pranë Ithakës, është kthyer në një fenomen të rrjeteve sociale. Pamjet e derrave që hyjnë në det për t’u freskuar janë bërë virale në Instagram dhe TikTok, duke tërhequr vizitorë nga vende të ndryshme të botës.

Derrat zakonisht qëndrojnë të qetë dhe merren me kërkimin e ushqimit në rërë. Herë pas here, ata futen në ujë për të freskuar trupin, ndërsa turistët i vëzhgojnë, fotografojnë dhe madje i ushqejnë.
“Duket se janë në habitatin e tyre dhe nuk përpiqen të kafshojnë nëse nuk i prek”, tha Francesco Ferrari, një tatuazhist 22-vjeçar nga Italia.
Vizitorët mbërrijnë në Atokos me varka turistike nga ishulli fqinj i Ithakës. Operatori turistik Renato Bisha kryen disa udhëtime në ditë drejt ishullit, ndërsa popullariteti i eksperiencës së pagëzuar “Piggy Island” ka bërë që ture të ngjashme të organizohen edhe nga Lefkada dhe Kefalonia.
“Ishulli është bërë viral për shkak të derrave. Shumë njerëz kërkojnë në mënyrë aktive të vijnë në Atokos”, tha Bisha, ndërsa hidhte fruta pranë varkës për të tërhequr kafshët.
Për shumë turistë, përvoja është diçka krejtësisht e pazakontë.
“Kjo është e mrekullueshme. Ua rekomandoj të gjithëve… kurrë në jetën time nuk e kisha menduar se do të bëja diçka të tillë”, tha Jamie Jackson, një vizitore amerikane.
Përpara se pamjet e derrave që notojnë të bëheshin virale në rrjetet sociale, Atokos ishte relativisht pak i njohur për turistët. Sot, ishulli pret mijëra vizitorë, veçanërisht gjatë muajve të ngarkuar të sezonit veror.
Turistët thonë se sjellja e qetë e kafshëve e bën eksperiencën edhe më të veçantë.
“Mendoj se derrat po argëtohen po aq sa ne”, tha një tjetër vizitor amerikan, Michael Mcanelly.
Ndërsa Simos Gleridis, një kontabilist 33-vjeçar nga Selaniku, e përshkroi eksperiencën si diçka që ia vlen të përjetohet.
“Është diçka unike, ia vlen të vini ta shihni”, tha ai.
Kështu, një ishull i vogël dhe dikur pak i njohur i Detit Jon është kthyer në një prej atraksioneve më të pazakonta të Greqisë, me ujërat e kaltra, plazhet e qeta dhe derrat që notojnë tashmë si pjesë e pandashme e imazhit të Atokosit. /Telegrafi/





