Britaniku akuzohet se i dha inteligjencës ushtarake ruse të dhëna për fabrikat e dronëve në Britani

Bota

Një 31-vjeçar nga Swindon, në jug të Anglisë, është paraqitur në gjykatë në Londër, nën akuzën se u ka përcjellë persona të lidhur me inteligjencën ushtarake ruse informacione mbi fabrikat britanike të prodhimit të dronëve. Joshua Cammidge është akuzuar këtë javë për dy vepra penale në bazë të Ligjit britanik për Sigurinë Kombëtare (National Security […]

Madhësia e shkronjave

Një 31-vjeçar nga Swindon, në jug të Anglisë, është paraqitur në gjykatë në Londër, nën akuzën se u ka përcjellë persona të lidhur me inteligjencën ushtarake ruse informacione mbi fabrikat britanike të prodhimit të dronëve.

Joshua Cammidge është akuzuar këtë javë për dy vepra penale në bazë të Ligjit britanik për Sigurinë Kombëtare (National Security Act): ndihmë ndaj një shërbimi të huaj të inteligjencës dhe përgatitje për kryerjen e sabotimit.

Sipas prokurorisë, Cammidge ka shpërndarë pamje nga Google Maps, përmes të cilave kishte identifikuar një fabrikë dronësh dhe katër objekte të tjera të lidhura me prodhimin e tyre në qytetin e tij.

Ai akuzohet gjithashtu se ka ofruar të kryente vetë një akt sabotimi, se kishte kërkuar informacione mbi një pajisje që mund të bllokonte sinjalet Wi-Fi, si dhe se kishte vizituar dhe vëzhguar fizikisht objektet.

Sipas Shërbimit të Prokurorisë së Kurorës (CPS), kontakti i dyshuar ka qenë me një person që besohet të ketë lidhje me GRU Volunteer Corps, një grup që prokurorët e përshkruajnë si të kontrolluar nga GRU-ja, agjencia e inteligjencës ushtarake të Rusisë.

Veprimet e dyshuara besohet se kanë ndodhur nga fundi i marsit deri në fillim të shtatorit të këtij viti, transmeton Telegrafi.

Frank Ferguson, kryeprokuror në Divizionin e Krimeve të Posaçme dhe Kundër Terrorizmit të CPS-së, tha se vendimi për ndjekjen penale u mor pas një hetimi të kryer nga Policia Kundër Terrorizmit.

“Prokurorët tanë kanë punuar për të përcaktuar se ekzistojnë prova të mjaftueshme për ta çuar çështjen në gjykatë dhe se ndjekja penale është në interesin publik”, deklaroi Ferguson.

Cammidge nuk pranoi të deklarohej fajtor apo i pafajshëm gjatë paraqitjes në Gjykatën e Westminsterit dhe u la në paraburgim.

Çështja e tij është transferuar në Old Bailey, gjykata qendrore penale e Londrës, ku seanca e radhës është caktuar për 25 shtator.

Rasti vjen në një periudhë kur marrëdhëniet mes Britanisë së Madhe dhe Rusisë mbeten të tensionuara, pas një serie incidentesh që kanë përkeqësuar raportet mes dy vendeve.

Ndër rastet më të njohura janë helmimi i Alexander Litvinenkos në vitin 2006 dhe sulmi me agjent nervor në Salisbury në vitin 2018, ku u shënjestrua ish-oficeri rus i inteligjencës Sergei Skripal.

Britania vazhdon të jetë një prej mbështetësve më të rëndësishëm evropianë të Ukrainës që prej pushtimit rus të vitit 2022.

Ndërkohë, Swindon është shndërruar në një qendër të rëndësishme për prodhimin e dronëve ushtarakë në Britani, duke e bërë qytetin potencialisht me interes përtej kufijve të vendit.

Akuzat ndaj Cammidge do të shqyrtohen tashmë nga gjykatat britanike dhe ai konsiderohet i pafajshëm derisa të provohet fajësia. /Telegrafi/