Dy persona arrestohen në Londër, dyshohen se ndihmuan shërbimin iranian të inteligjencës

Bota

Dy persona janë arrestuar në Londër nën dyshimin se kanë ndihmuar shërbimin iranian të inteligjencës, njoftoi Policia Metropolitane e kryeqytetit britanik. Bëhet fjalë për një grua 42-vjeçare dhe një burrë 60-vjeçar, të cilët u ndaluan në adresa të ndryshme në Londër nga oficerët e Njësisë së Policisë Kundër Terrorizmit në Londër. Arrestimet janë pjesë e […]

Madhësia e shkronjave

Dy persona janë arrestuar në Londër nën dyshimin se kanë ndihmuar shërbimin iranian të inteligjencës, njoftoi Policia Metropolitane e kryeqytetit britanik.

Bëhet fjalë për një grua 42-vjeçare dhe një burrë 60-vjeçar, të cilët u ndaluan në adresa të ndryshme në Londër nga oficerët e Njësisë së Policisë Kundër Terrorizmit në Londër.

Arrestimet janë pjesë e një hetimi mbi dyshime për shkelje të Ligjit për Sigurinë Kombëtare të vitit 2023 (National Security Act), transmeton Telegrafi.

Të dyshuarit u arrestuan në bazë të nenit 3 të këtij ligji, i cili lidhet me ndihmën ndaj një shërbimi të huaj të inteligjencës.

Hetimi vjen pas kontrolleve të kryera në disa adresa në veriperëndim të Londrës më 24 qershor. Një tjetër pronë në të njëjtën zonë u kontrollua më 9 shtator.

Pas arrestimit, të dy personat u dërguan në një komisariat në Londër. Ata u liruan më pas me kusht, nën masa të rrepta, dhe pritet të paraqiten sërish para autoriteteve në fund të tetorit.

Policia theksoi se hetimi nuk ka lidhje me incidentet apo sulmet e regjistruara më herët gjatë këtij viti ndaj disa objekteve dhe ambienteve të lidhura me komunitetet hebraike dhe iraniane në Londër.

Helen Flanagan, komandante dhe drejtuese e Policisë Kundër Terrorizmit në Londër, tha se arrestimet mund të shkaktojnë shqetësim te qytetarët, por theksoi se autoritetet nuk besojnë se ekziston një kërcënim i menjëhershëm për publikun e gjerë në lidhje me këtë çështje.

“Ne e dimë se lajmi për këto arrestime mund të shkaktojë shqetësim te disa pjesëtarë të publikut, por dua të theksoj se nuk besojmë se ka ndonjë kërcënim të menjëhershëm për publikun e gjerë në lidhje me këtë çështje”, deklaroi Flanagan.

Ajo shtoi se gjatë vitit të fundit është vërejtur një rritje e ndjeshme e aktiviteteve policore të lidhura me sigurinë kombëtare dhe kërcënimet nga shtetet e huaja.

“Ky hetim është një vazhdim i kësaj pune. Nëse dyshojmë se ndonjë aktivitet mund të kërcënojë sigurinë e Mbretërisë së Bashkuar ose të publikut, nuk do të hezitojmë të ndërmarrim veprime”, tha ajo.

Flanagan u bëri gjithashtu thirrje qytetarëve të qëndrojnë vigjilentë, duke kujtuar se niveli i përgjithshëm i kërcënimit terrorist në Britani mbetet “i rëndë”.

Ajo kërkoi nga publiku që të raportojë çdo aktivitet të dyshimtë dhe të “besojë instinktet” nëse vëren diçka që nuk duket normale. /Telegrafi/