Bayern Munich kishte plane të mëdha për Arijon Ibrahimovicin, por në fund ndryshoi papritur kurs. Vendimi i klubit gjerman për ta larguar në huazim, vetëm pak javë pasi kishte bërë të qartë se llogariste në të për sezonin e ri, ka shkaktuar habi dhe irritim rreth talentit 20-vjeçar.
“FC Bayern llogarit fort në Arijon Ibrahimovicin”, ishte titulli i përdorur nga kampioni rekord i Gjermanisë më 7 korrik, kur klubi njoftoi zgjatjen e kontratës së tij. Në fotografinë zyrtare, drejtori sportiv Christoph Freund shfaqej i buzëqeshur dhe fliste me entuziazëm për të ardhmen e lojtarit.
“Tani për të nuk bëhet më fjalë vetëm për të mësuar – tani bëhet fjalë për të sulmuar dhe për të bërë hapin tjetër këtu, te FC Bayern”, kishte deklaruar Freund.
Dy muaj më vonë, realiteti ishte krejt ndryshe. Ibrahimovic kishte vetëm një paraqitje dhe një gol në Bundesligë, ndërsa në vend që të ishte pjesë e planeve të Bayernit për sezonin, ai u transferua në huazim te Augsburgu.
Ironikisht, Augsburgu e ka nisur sezonin në mënyrë perfekte dhe pas dy fitoreve në dy ndeshjet e para ndodhet në krye të tabelës, duke lënë pas edhe gjigantë si Bayern Munichu.
Për Ibrahimovicin, situata duhet të ketë qenë e vështirë për t’u kuptuar. Pak javë më parë ai kishte shprehur publikisht kënaqësinë e madhe që po i jepej mundësia të luante për atë që e konsideronte “klubin më të madh në botë”.
Ai pritej të ishte një alternativë për Luis Diazin, i cili po luante pothuajse çdo ndeshje dhe ishte bërë një prej pikave kryesore të sulmit të Bayernit. Por, vetëm pak ditë para mbylljes së afatit kalimtar, drejtori sportiv Max Eberl la të kuptohej se situata mund të ndryshonte.
“Nëse ka diçka që është gati për t’u bërë publike dhe që mund të jetë interesante për të dyja palët, atëherë do të ishim sërish të hapur për këtë”, kishte thënë Eberl në një konferencë për media. Dhe pikërisht kjo ndodhi.
Kthesa e papritur që irritoi Ibrahimovicin
Sipas raportimit të “Sport1”, Ibrahimovic ishte “jashtëzakonisht i irrituar” nga zhvillimet, ndërsa këshilltari i tij, Roman Rummenigge, thuhet se ishte ndier i “zënë në befasi” nga vendimi i Eberlit.
Nga këndvështrimi i lojtarit dhe ekipit të tij, nuk kishte pasur ndonjë arsye të qartë për këtë ndryshim të papritur. Sinjalet që kishin marrë deri atëherë ishin se Ibrahimovic kishte mundësi reale për të marrë minuta dhe për të pasur një rol më të rëndësishëm në skuadrën e parë të Bayernit.
Madje, kontrata e tij ishte zgjatur vetëm disa javë më parë, pikërisht me idenë se ai do të ishte pjesë e planeve afatgjata të klubit.
Werder Bremeni gjithashtu kishte shfaqur interesim për ta transferuar, por në fund ishte Augsburgu ai që fitoi garën për shërbimet e tij. Marrëveshja përfshin një huazim deri në fund të sezonit, por edhe një opsion blerjeje prej 8 milionë eurosh.
Freund, megjithatë, këmbënguli se vendimi ishte marrë për të mirën e zhvillimit të lojtarit.
“Kemi rënë dakord me Arijonin se është më mirë për zhvillimin e tij që të huazohet edhe për një sezon. Është ende një lojtar i ri, me shumë cilësi dhe në këtë fazë ka nevojë për të luajtur rregullisht. Te Augsburgu do ta ketë këtë mundësi dhe ne do të vazhdojmë ta mbështesim nga afër gjatë këtij rrugëtimi”, kishte deklaruar ai.
Por pyetja që mbetet është nëse ky vendim ishte vërtet vetëm për zhvillimin e tij apo nëse Bayern Munichu thjesht ka arritur në përfundimin se Ibrahimovic ende nuk është gati për nivelin e kërkuar në “Allianz Arena”.
Arsyet e sakta për këtë kthesë mbeten të paqarta. Megjithatë, gjatë fazës përgatitore, Ibrahimovic pati disa raste të mira që nuk arriti t’i shfrytëzonte dhe kjo bëri që një pjesë e tifozëve të Bayernit të fillonin ta kritikonin.
Disa prej tyre mendonin se ai ende nuk kishte klasën dhe qëndrueshmërinë e nevojshme për të luajtur në ndeshjet e mëdha.
Kjo mund të ketë ndikuar në ndryshimin e planeve të klubit, edhe pse vetëm drejtuesit e Bayernit e dinë se çfarë ndodhi realisht pas dyerve të mbyllura.
Për Ibrahimovicin, megjithatë, huazimi te Augsburgu nuk mund të kishte nisur më mirë.
Trajneri Manuel Baum nuk hezitoi aspak për t’i besuar atij. Në ndeshjen e parë, ai e vendosi menjëherë në formacionin titullar dhe Ibrahimovic e shpërbleu besimin në mënyrën më të mirë të mundshme.
Ai shënoi një gol në fitoren 4-1 ndaj Eintracht Frankfurtit, duke dhënë menjëherë sinjalin se largimi nga Bayern Munichu mund të mos jetë domosdoshmërisht një hap prapa.
Për momentin, pra, ajo që dukej si një largim i nxituar dhe zhgënjyes nga “SAbener Straße” mund të kthehet në një mundësi të artë për Ibrahimovicin.
Ai tashmë ka diçka që në Bayern do ta kishte pasur shumë më të vështirë: minuta të rregullta, përgjegjësi më të madhe dhe mundësinë për të dëshmuar se është gati për nivelin më të lartë.
Nëse vazhdon të shënojë dhe të paraqitet mirë me Augsburgun, Bayern Munichu mund të detyrohet të rishikojë edhe një herë vendimin që mori në fund të afatit kalimtar. /Telegrafi/






