Justine Musk, gruaja e parë e Elon Musk, ka folur hapur rreth martesës së tyre në një dokumentar të ri nga regjisori Alex Gibney.
Ajo zbuloi se ishte gjatë marrëdhënies së tyre që dëgjoi për herë të parë termin “gaslighting”, një formë manipulimi psikologjik.
Justine, e cila ishte e martuar me Musk nga viti 2000 deri në vitin 2008 dhe pati gjashtë fëmijë me të, është një nga bashkëbisedueset kryesore në filmin katër-orësh të Gibney “Musk”, i cili u shfaq premierë në Festivalin e Filmit në Venecia, raporton People.
Në film, Justine zbulon disa detaje nga martesa e tyre. Ajo kujtoi postimin e Musk në rrjetet sociale, në të cilin ai pretendonte se po mbante në krahë djalin e tyre të parë, Nevadën, në kohën e vdekjes së tij.
Nevada vdiq nga sindroma e vdekjes së papritur foshnjore vetëm dhjetë javëshe, dhe Justine pretendon se ajo në fakt po e mbante atë atëherë.
Ajo tha gjithashtu se gjatë vallëzimit të tyre të parë në dasmën e tyre, Musk i tha: “Unë jam alfa në këtë marrëdhënie.” Sipas saj, ai shpesh i fliste në një mënyrë përçmuese, sikur të ishte një nga punonjëset e tij, gjë që e bënte të ndihej “e parëndësishme”.
“E mësova kuptimin e “gaslighting”-ut përmes marrëdhënies sime me Elonin”, tha ajo në dokumentar. Ajo shtoi se Musk vazhdimisht i vinte në dukje të metat e saj. Ajo gjithashtu kujtoi preokupimin e tij me imazhin e tij. Ai dikur i shpjegoi asaj: “Nuk mund të dukem në modë ose ‘cool’ sepse duhet të dukem si një inxhinier”.
Dokumentari gjithashtu shqyrton marrëdhënien e Elon Musk me vajzën e tyre transgjinore, Vivian. Justine pretendon se Elon ia anuloi sigurimin shëndetësor Vivian pasi ajo doli hapur si transgjinore. Ajo thotë gjithashtu se ai kurrë nuk u përpoq ta riparonte marrëdhënien e tyre.
“Thjesht nuk është në natyrën e tij”, shpjegoi ajo. Megjithatë, ajo thotë se Elon dikur i tha asaj t’i thoshte Vivian se ai “do ta donte gjithmonë”. Musk më parë ka deklaruar publikisht se e humbi vajzën e tij nga “virusi i zgjuar”.
Elon Musk nuk mori pjesë në xhirimin e dokumentarit . Vitin e kaluar, në platformën e tij X, ai e quajti filmin një “fushatë të porositur shpifjesh”, të cilës regjisori Gibney iu përgjigj duke pyetur: “Si mund ta dije këtë?”
Traileri i filmit e përshkruan Musk si “ndoshta shpikësi më i madh i gjallë”, por edhe si “një burrë që ka humbur mendjen”. Edhe pse e kritikoi filmin, Musk foli me entuziazëm për ish-gruan e tij në fillim të këtij viti. Në një postim në Xu në janar, ai e quajti atë “një grua të jashtëzakonshme”.
Përveç Justine, në film marrin pjesë edhe babai i Elon, Errol Musk, ish-partnerja e tij Ashley St. Clair dhe bashkëthemeluesi i Tesla-s, Martin Eberhard. Regjisori Alex Gibney është i njohur për dokumentarët rreth skandalit Enron, krimeve të luftës në Afganistan dhe Elizabeth Holmes dhe kompanisë së saj Theranos. “Musk” del në kinema më 16 tetor.






