Një shtëpi, 147 të strehuar – Shala rrëfen historinë e jashtëzakonshme nga Llapqeva

Nacionale

Drejtori ekzekutiv i Shoqatës Humanitare Bamirëse “Nëna Terezë”, Zef Shala, ka rrëfyer një nga shembujt e solidaritetit të familjeve kosovare gjatë luftës, kur mijëra qytetarë detyroheshin të largoheshin nga zonat e luftimeve. Duke folur në “Përballje Podcast”, Shala tregoi se pas sulmeve në zonën e Rahovecit, shumë qytetarë u zhvendosën në drejtim të Malishevës dhe […]

Madhësia e shkronjave

Drejtori ekzekutiv i Shoqatës Humanitare Bamirëse “Nëna Terezë”, Zef Shala, ka rrëfyer një nga shembujt e solidaritetit të familjeve kosovare gjatë luftës, kur mijëra qytetarë detyroheshin të largoheshin nga zonat e luftimeve.

Duke folur në “Përballje Podcast”, Shala tregoi se pas sulmeve në zonën e Rahovecit, shumë qytetarë u zhvendosën në drejtim të Malishevës dhe Suharekës.

Sipas tij, në fshatin Llapqevë, një familje kishte hapur dyert e shtëpisë për 147 persona.

“Një familje në Llapqevë i ka strehuar 147 njerëz. Me evidencë po të them”, deklaroi Shala, shkruan Telegrafi.

Ai rrëfeu se familja jo vetëm që u kishte siguruar strehim, por kishte vënë në dispozicion edhe rezervat e veta për ushqimin e të zhvendosurve.

Shala kujtoi se kryefamiljari i kishte thënë se kishte rreth 46 krerë bagëti, lopë, viça dhe se ato do të përdoreshin për nevojat e njerëzve të strehuar për aq kohë sa të ishte e nevojshme.

“Unë i kam këtu 46 kafshë, lopë e viça. Derisa të harxhohen, këtu s’keni nevojë të mendoni për asgjë”, rrëfeu Shala fjalët e tij, transmeton Telegrafi.

Sipas Shalës, familja u kujdes për të gjithë personat e strehuar gjatë kohës që qëndruan aty, duke e kthyer shtëpinë e saj në një strehë për njerëzit që po largoheshin nga luftimet.

Ky rast, sipas tij, ishte një nga shumë shembujt e solidaritetit dhe organizimit të qytetarëve gjatë luftës në Kosovë.

Rrëfimin e plotë të Zef Shalës mund ta ndiqni në pjesën e dytë të “Përballje Podcast”.