Ish-sulmuesi i Chelseat, Christopher Nkunku, ka refuzuar një transferim te Manchester United gjatë afatit kalimtar të verës, ka deklaruar drejtori sportiv i klubit të tij të ri.
Nkunku u largua nga Chelsea në verën e vitit 2025 për t’iu bashkuar Milanit, ku shënoi tetë gola në 35 paraqitje në të gjitha kompeticionet.
Megjithatë, me ardhjen e trajnerit të ri të Milanit, Ruben Amorim, francezi nuk ishte më pjesë e planeve të klubit dhe më pas u rikthye te ish-klubi i tij, RB Leipzig, në formën e huazimit për një sezon.
Paraqitjet e tij te Leipzigu kishin bindur Chelsean të shpenzonte 52 milionë euro për ta transferuar në verën e vitit 2023. Megjithatë, debutimi i tij në “Stamford Bridge” u shty deri në dhjetor për shkak të një ndërhyrjeje kirurgjikale në gju.
Nkunku nuk arriti të siguronte një vend të rregullt në formacionin e Chelseat nën drejtimin e Mauricio Pochettinos dhe më pas Enzo Marescas, por pati një rol të rëndësishëm në triumfin e klubit në Ligën e Konferencës, duke shënuar shtatë gola në 15 ndeshje.
Francezi ishte lidhur fuqishëm me një transferim te Manchester United edhe vitin e kaluar, por në fund zgjodhi të transferohej te Milani.
Interesi i United u rikthye edhe këtë verë, me trajnerin Michael Carrick që kërkonte të shtonte alternativat në skuadër përpara një sezoni në Ligën e Kampionëve. Interesi i klubit anglez për Nkunkun daton që nga sezoni 2021/22, kur Ralf Rangnick ishte trajner i përkohshëm i skuadrës.
Manchester United u kritikua nga disa analistë për strategjinë e afatit kalimtar, pasi klubi u fokusua kryesisht në përforcimin e mesfushës. Në të njëjtën kohë, drejtuesit vendosën të mos ndiqnin me vendosmëri alternativa të tjera në krahun e majtë të mbrojtjes, pasi Newcastle United kishte bërë të ditur se Leëis Hall nuk ishte i disponueshëm.
United gjithashtu vendosi të mos përforconte më tej repartin ofensiv, pasi gjatë verës kishte transferuar Matheus Cunhan, Bryan Mbeumon dhe Benjamin Sesko.
Ndërkohë, Marcus Rashford u rikthye në klub pas përfundimit të huazimit njëvjeçar te Barcelona./Telegrafi/






