Real Madridi po e shqyrton gjithnjë e më seriozisht mundësinë e transferimit të Declan Rice, me disa figura me ndikim brenda klubit që po ushtrojnë presion ndaj drejtuesve për ta vendosur mesfushorin anglez në krye të listës së objektivave.
Klubi madrilen e mbylli afatin kalimtar të verës pa arritur të sigurojë një mesfushor të ri.
“Los Blancos” kishin vlerësuar disa alternativa të rëndësishme, mes tyre Rodri Hernandez, Adam Wharton, Kees Smit, Enzo Fernandez dhe Alexis Mac Allister, por në fund nuk arritën të konkretizonin transferimin e asnjërit prej tyre.

Pikërisht për këtë arsye, e ardhmja e mesfushës vazhdon të jetë një temë e rëndësishme në Madrid. Sipas raportimeve të fundit të TEAMtalk, interesi i Real Madridit për Declan Rice po rritet ndjeshëm.
Rice, i cili konsiderohet një nga mesfushorët më të kompletuar dhe më të qëndrueshëm në Ligën Premier, duket se ka fituar admirimin e disa prej figurave me ndikim në “Santiago Bernabeu”.
Sipas raportimeve, këto figura po kërkojnë që drejtuesit e Real Madridit ta konsiderojnë anglezin si një objektiv prioritar për të ardhmen.
Mesfushori i Arsenalit shihet si një profil ideal për repartin e mesfushës së madrilenëve, falë aftësisë së tij për të kontribuar si në fazën mbrojtëse, ashtu edhe në ndërtimin e aksioneve.
I vetëdijshëm për interesimin që po vjen nga Madridi, Arsenali ka nisur të lëvizë për të siguruar të ardhmen e lojtarit.
Rice aktualisht ka kontratë me “Gunners” deri në vitin 2028, por klubi londinez dëshiron ta zgjasë marrëveshjen dhe ta mbajë mesfushorin në skuadër për një periudhë shumë më të gjatë.
Nëse interesi i Real Madridit konkretizohet, Arsenali do të përballet me një sfidë të madhe për të bindur Rice të vazhdojë karrierën në Londër, ndërsa madrilenët mund ta rikthejnë emrin e tij në qendër të planeve të tyre për afati kalimtar të ardhshëm. /Telegrafi/





