Aktivistë të platformës qytetare “Liria Ka Emër” kanë zhvilluar sot një aktivitet simbolik para objektit të EULEX-it në Prishtinë, ku ndodhet edhe Zyra e Dhomave të Specializuara, duke përcjellë mesazhin “NË EMËR TË POPULLIT, SHPALLENI TË PAFAJSHËM!”.
Përmes këtij aktiviteti, platforma ka kërkuar drejtësi dhe liri për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, ndërsa ka bërë thirrje që në përfundim të procesit gjyqësor të mos harrohet konteksti historik i luftës çlirimtare të Kosovës dhe sakrifica mbi të cilën është ndërtuar liria e vendit.
Para mediave foli Flaka Fazlija, vajzë dëshmori, e cila tha se prania e saj në këtë aktivitet nuk ishte vetëm si qytetare e Kosovës, por edhe si një prej fëmijëve që liria i ka kushtuar humbjen e babait.
“Babai im e ka dhënë jetën që unë, brezi im dhe krejt ky vend me jetu të lirë. Ai nuk ka luftu për privilegje, nuk ka luftu për pushtet, e as për hakmarrje. Ka luftu për liri”, tha Fazlija.

Ajo theksoi se kërkesa e platformës dhe e qytetarëve nuk është për hakmarrje, por për drejtësi.
“Ne nuk kërkojmë hakmarrje. Ne kërkojmë drejtësi. Ama drejtësia nuk mundet me qenë e drejtë nëse e harron historinë. Nuk mundet me pas drejtësi nëse harrohet kush ka qenë agresori dhe kush ka luftu për me mbijetu, për me e mbrojt familjen, shtëpinë dhe vendin e vet”, deklaroi ajo.
Duke iu referuar pankartës së vendosur para objektit të EULEX-it, Fazlija tha se mesazhi për pafajësinë përfaqëson bindjen dhe pritjen e mijëra qytetarëve të Kosovës.
“Kjo pankartë është një kërkesë. Është një porosi. Është edhe një mesazh shumë i qartë: Kosova nuk ka me heshtë kur dikush tenton me ia shtrembërua historinë dhe me e vendosë luftën e saj çlirimtare në bankën e të akuzuarve”, tha ajo.
Fazlija theksoi se më 16 shtator nuk pritet vetëm një vendim gjyqësor, por një përgjigje që, sipas saj, ka peshë shumë më të gjerë për Kosovën.
“Më 16 shtator nuk po presim veç një aktgjykim. Po presim përgjigje në një pyetje shumë ma të madhe: A ka me triumfu drejtësia, apo padrejtësia ka me marrë vulën e drejtësisë?”, deklaroi Fazlija.
Ajo tha se procesi në Hagë nuk prek vetëm katër ish-krerët e UÇK-së, por edhe mënyrën se si trajtohet historia e një populli që ka kaluar nëpër luftë, përndjekje dhe sakrificë.
“Në Hagë nuk janë veç katër emra. Janë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Por bashkë me ta është edhe historia jonë. Është historia e një populli që është përndjekë. Është historia e mijëra familjeve që i kanë humbë ma të dashurit e tyre”, tha ajo.
Si vajzë dëshmori, Fazlija tha se familjet që kanë paguar çmimin më të lartë për lirinë nuk mund të heshtin kur vihet në pikëpyetje historia e Kosovës.
“Edhe unë jam një prej atyre fëmijëve që liria i ka kushtu një baba. E për këtë arsye, askush nuk ka të drejtë me na kërku sot me heshtë. Kemi pagu tepër shtrenjtë për këtë liri, që sot me heshtë kur vihet në pikëpyetje historia jonë”, theksoi ajo.
Nga objekti i EULEX-it, Fazlija iu drejtua edhe institucioneve ndërkombëtare me kërkesën që të mos harrojnë sakrificën mbi të cilën është ndërtuar Republika e Kosovës.
“Mos harroni mbi çfarë sakrifice është ndërtu kjo Republikë. Mos e barazoni çlirimtarin me pushtuesin. Mos e ktheni drejtësinë në diçka që e plagos edhe një herë viktimën. Dhe mos prisni që Kosova me heshtë, nëse padrejtësia bëhet në emër të drejtësisë”, tha ajo.
Në fund, Fazlija paralajmëroi se zëri qytetar në mbështetje të luftës çlirimtare dhe të çlirimtarëve do të vazhdojë të dëgjohet edhe në ditët në vijim.
“Ne kemi me fol. Kemi me marshu. Kemi me kujtu. Dhe kemi me e mbrojt të vërtetën tonë historike me krejt vendosmërinë që e kemi. Sepse liria që na e kanë lanë dëshmorët nuk është dhuratë që negociohet. Është amanet. E amaneti nuk harrohet”, përfundoi ajo.
Aktivitetet e platformës qytetare “Liria Ka Emër” vazhdojnë në prag të Marshit për Liri, që do të mbahet më 12 shtator, nga ora 14:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Asgjë më pak. Asgjë tjetër. /Telegrafi/





