Partia Guxo ka mbajtur Kuvendin e II-të të Rregullt Zgjedhor, në katërvjetorin e themelimit të saj, ku janë zgjedhur organet e reja drejtuese për mandatin e ardhshëm katërvjeçar.
Në krye të partisë është zgjedhur Faton Peci, i cili mori shumicën absolute të votave të delegatëve.
Kandidatura e Pecit është propozuar nga bashkëkryetarja e deritanishme, Donika Gërvalla, e cila gjatë kuvendit ka njoftuar se do të largohet nga udhëheqja e përbashkët e partisë për t’u fokusuar në përgjegjësitë e saj institucionale dhe në proceset e reformës në drejtësi.
“Përgjegjësia që kam si Ministre e Drejtësisë kërkon përkushtimin tim maksimal. Siç e dini, para nesh kemi një punë të jashtëzakonshme dhe beteja që nuk mund të zhvillohen përgjysmë”, është shprehur Gërvalla.

Ajo ka theksuar se reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit dhe forcimi i shtetit ligjor kërkojnë angazhim të plotë.
“Reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit, forcimi i shtetit ligjor dhe shumë procese të tjera vendimtare për Republikën e Kosovës kërkojnë çdo ditë energjinë, kohën dhe angazhimin tim të plotë”, ka deklaruar Gërvalla.
Pas zgjedhjes në krye të Guxos, Peci ka falënderuar delegatët për besimin e dhënë, ndërsa ka vlerësuar kontributin e Gërvallës në themelimin dhe fuqizimin e partisë.
Peci ka shprehur vendosmërinë për vazhdimin e rrugëtimit politik të Guxos dhe partneritetit qeverisës, duke përmendur si prioritete fuqizimin e shtetit, forcimin e sigurisë, zhvillimin ekonomik dhe integrimin e Kosovës në NATO dhe Bashkimin Evropian.
Gjatë kuvendit është miratuar edhe Deklarata Politike e Partisë Guxo, përmes së cilës kjo parti ka riafirmuar përkushtimin për një partneritet politik në shërbim të Kosovës si shtet sovran.
Guxo ka kritikuar gjithashtu bllokadën institucionale, duke vlerësuar se ajo i ka shkaktuar dëm vendit në planin e brendshëm dhe në pozicionimin ndërkombëtar.
“Partia Guxo vlerëson se bllokada dyvjeçare në krijimin e institucioneve i ka shkaktuar dëm të madh vendit, si në planin e brendshëm, ashtu edhe në pozicionimin e tij ndërkombëtar”, thuhet në deklaratën politike.
Partia ka bërë thirrje për respektimin e frymës kushtetuese dhe krijimin e institucioneve funksionale, duke theksuar nevojën për kompromis, pjesëmarrje dhe përgjegjësi institucionale.
Në Kuvendin e II-të të Rregullt Zgjedhor është zgjedhur edhe Këshilli i Përgjithshëm i Partisë Guxo, duke përmbyllur procesin zgjedhor të strukturave të saj për mandatin e ardhshëm. /Telegrafi/





