Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka kërkuar që seanca e Kuvendit të Kosovës, e thirrur për 9 shtator, të përfundojë me konstituimin e legjislaturës, duke vlerësuar pozitivisht gatishmërinë e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për të marrë pjesë në seancë.
Sipas IKD-së, përgjegjësia tashmë është që procesi të mos kthehet në një tjetër përplasje politike që do të prodhonte bllokadë institucionale.
“Tashmë përgjegjësia është që kjo seancë të mos shndërrohet në një episod tjetër të bllokadës së institucioneve, por të përfundojë me konstituimin e Kuvendit dhe t’i hapë rrugë procesit për zgjedhjen e Presidentit të Republikës dhe formimit të qeverisë”, thuhet në reagimin e IKD-së.
Instituti thekson se afati kushtetues prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit, pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, tashmë është tejkaluar.
IKD ia atribuon përgjegjësinë për këtë situatë kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, dhe Lëvizjes Vetëvendosje, duke pretenduar se përmes veprimeve dhe mosveprimeve është pamundësuar përfundimi i procesit brenda afatit kushtetues.
“Fakti se afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit është shkelur nuk është çështje hipotetike”, thuhet në njoftim.
Sipas IKD-së, pasojat e moskonstituimit kanë qenë më të gjera sesa vetëm tejkalimi i një afati, pasi deputetët që kanë dhënë betimin nuk kanë mundur ta ushtrojnë plotësisht mandatin e tyre.
“Për javë të tëra, deputetët të cilët kishin dhënë betimin nuk kanë pasur mundësi ta ushtrojnë në plotësi mandatin e tyre kushtetues. Kuvendi nuk ka qenë funksional”, thekson IKD.
Megjithatë, instituti vlerëson se shkelja e afatit nuk mund të përdoret si arsye për të vazhduar moskonstituimin e Kuvendit.
“Fakti se Kuvendi nuk është konstituuar brenda afatit kushtetues nuk mund të shërbejë si argument që Kuvendi të mos konstituohet as pas kalimit të këtij afati”, thuhet në reagim.
IKD argumenton se një qasje e tillë do të krijonte një situatë paradoksale, ku shkelja e Kushtetutës do të përdorej për të vazhduar gjendjen e krijuar si pasojë e kësaj shkeljeje.
“Shkelja e Kushtetutës do të përdorej si arsye për ta vazhduar edhe më tej pikërisht gjendjen antikushtetuese që është krijuar”, thuhet në njoftim.
Instituti thekson se përgjegjësia për shkeljen duhet të evidentohen, por kjo nuk e eliminon obligimin për funksionalizimin e institucioneve.
“Skadimi i afatit nuk mund ta shuajë detyrimin kushtetues për konstituimin e Kuvendit. Përfundimi i afatit nuk mund të nënkuptojë përfundimin e detyrimit për t’i bërë institucionet funksionale”, deklaron IKD.
Duke iu referuar praktikës së Gjykatës Kushtetuese, IKD vlerëson se tejkalimi i afatit nuk nënkupton automatikisht humbjen e legjitimitetit të legjislaturës për të ushtruar kompetencat e saj.
“Dështimi për ta përfunduar konstituimin brenda afatit kushtetues nuk mund të interpretohet automatikisht si humbje e legalitetit apo legjitimitetit të kësaj legjislature për të vazhduar me ushtrimin e kompetencave të saj kushtetuese”, thuhet në reagim.
Për këtë arsye, sipas IKD-së, tejkalimi i afatit nuk e bën juridikisht të pamundur as formimin e Qeverisë dhe as zgjedhjen e Presidentit nga kjo legjislaturë.
IKD i ka bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që të mos përdorë kalkulime të reja politike për konstituimin e Kuvendit.
“Kosova ka humbur tashmë kohë përtej afatit kushtetues. Çdo ditë e re e bllokadës nuk e korrigjon shkeljen e deritanishme, vetëm e thellon atë”, thuhet në njoftim.
Në fund, IKD vlerëson se, në mungesë të një sanksioni kushtetues të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese dhe pa një vlerësim të ri të kësaj çështjeje nga kjo gjykatë, procesi duhet të vazhdojë.
“Nuk ka rrugë tjetër pos se të vazhdohet tutje. Konstituimi i Kuvendit duhet të përfundojë dhe vendit duhet t’i hapet rruga për formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e Presidentit”, thekson IKD.
Instituti e përmbyll reagimin me thirrjen që Kushtetuta të mbrohet përmes funksionalizimit të institucioneve.
“Kushtetuta nuk mbrohet duke e mbajtur Kuvendin të pakonstituuar për shkak se afati për konstituimin e tij tashmë është shkelur. Kushtetuta mbrohet duke i dhënë fund shkeljes dhe duke rikthyer institucionet në funksion”, thuhet në njoftimin e IKD-së. /Telegrafi/






