Drejtori sportiv i Barcelonës, Deco, ka diskutuar planet e transferimeve të klubit pas largimeve të Ferran Torres dhe Robert Lewandowski.
Deco pranoi se zëvendësimi i Lewandowskit do të jetë veçanërisht i vështirë, duke pasur parasysh rëndësinë e sulmuesit polak për klubin në vitet e fundit.

“Dy lojtarë janë larguar – Ferran dhe Robert Lewandowski. Mund ta zëvendësojmë Ferranin me lojtarë të rinj, por zëvendësimi i Robertit është shumë i vështirë. Edhe nëse gjejmë një lojtar të mirë, do të jetë shumë e vështirë sepse ai përcaktoi epokën tonë”, ka thënë fillimisht Deco.
Drejtori sportiv i Barcelonës konfirmoi gjithashtu se klubi tashmë ka zgjidhje të brendshme, por po shqyrton lëvizje të mëtejshme para përfundimit të sezonit.
“Ne kemi zgjidhje të brendshme, por sigurisht që do të marrim masa të caktuara. Bëhet fjalë për gjetjen e zgjidhjes më të mirë. Po punojmë për të kuptuar se çfarë mund të bëjmë para fundit të sezonit”.
Deco theksoi gjithashtu se Barcelona mbetet një destinacion tërheqës për lojtarët më të mirë, por beson se klubi duhet të ofrojë një projekt sportiv bindës për të përfunduar transferimet e mëdha.
“Çdo lojtar dëshiron të vijë këtu, por për të nënshkruar lojtarë të nivelit të lartë duhet një projekt. Kjo i bëri përshtypje atyre që erdhën. Të gjithë duan të fitojnë tituj dhe të bëjnë histori”, përfundoi drejtori sportiv i Barçës. /Telegrafi/





